Dollari shënon kuotën më të lartë në 5 muaj

Monedha amerikane shënoi nivelin më të lartë kundrejt euros dhe jenit japonez, duke mposhtur lajmet negative

Tiranë – Rezervat Federale Amerikane duken të vendosura ta forcojnë dollarin, si krenaria e superfuqisë amerikane, dhe duket se në ditën e parë të javës së re ia dolën më së miri. Një koment prej pirate i njërit prej anëtarëve të bordit të FED-it, William Poole, e ndihmoi fort dollarin të këmbehet për 108,3 jen japonezë, niveli më i lartë nga tetori i vitit të kaluar, ndërsa euroja ra në 1,282 dollarë.

Dollari fitoi një cent kundrejt euros vetëm gjatë ditës së djeshme. Në tregun shqiptar dollari arriti në 98 lekë, shifra më e lartë që prej 14 shkurtit të këtij viti. “Ekonomia amerikane po rritet fort dhe bankat duhet të kenë kujdes që të përballen me rrezikun e inflacionit,”- deklaroi Poole në fundjavë, duke sjellë edhe forcimin e mëtejshëm të dollarit. “Edhe të dhënat ekonomike në terma relative janë favorizuese për dollarin,” – deklaroi ai. “Ne mund të zgjedhim në bazë të lajmeve të ndryshme, nëse do të blejmë apo do të shesim dollarë, por investitorët janë më shumë të përqendruar tek interesat e letrave me vlerë të emetuara në dollarë; kjo gjë sjell një dollar të fortë,” – deklaroi Neal Kimberley i Bank of Tokyo-Mitsubishi në Londër. Dollari u favorizua dje edhe nga një deklaratë e Komisionit Evropian, i cili e uli parashikimin për rritjen ekonomike të eurozonës gjatë këtij viti në 1,6% nga parashikimi fillestar prej 2%. Deklarata thoshte, gjithashtu, se pikërisht euroja e fortë është njëra nga arsyet e ecurisë së keqe të ekonomisë. Analistët thonë se me të tilla të dhëna ekonomike është më e vështirë që Banka Qendrore Evropiane ta rrisë normën bazë të interesit, e cila është aktualisht 2%, kundrejt interesit bazë në SHBA, që është 2,75%. Prej kohësh qarkullojnë fjalë që për t’i mbajtur konkurruese çmimet e titujve të borxheve në eurozonë, BQE-ja po përgatitet për një korrektim të vogël të diferencës së interesave me FED-in, por kjo gjë pritet të ndodhë jo para mbarimit të verës. Dollari ka përfituar gjatë dy javëve të fundit nga parandjenja popullore se FED-i do ta rrisë shpejt normën bazë të interesit. Disa ekspertë, të pyetur nga Bloomberg, mendojnë se dollari e ka mposhtur nivelin e rezistencës; $ 1,2855 për euro. “Kjo gjë nënkupton faktin se kufiri i sipërm për luhatjen e dollarit mund të vendoset shpejt në 1,255”, – thotë Denis Gartman, publikues i një buletini lajmesh profesionale nga bota e këmbimit valutor. Dollari është më i kërkuar sot, për faktin se interesat e bonove të thesarit dhjetëvjeçare të SHBA-së janë rritur me gjysmë pikë përqindje në rreth 4,8%. Në tregun e brendshëm valutor të Tiranës dje kursi i këmbimit me lekun pësoi vetëm korrektimin e tregut ndërkombëtar me rritje të dollarit me 0,6% dhe rënie të lehtë kundrejt euros; i njëjti fenomen pritet të përsëritet edhe sot. Gjatë ditëve të fundit leku ka pësuar një dobësim të lehtë kundrejt euros dhe dollarit. “Ne besojmë se euroja mund të tërhiqet nën 1,25 dollarë, niveli i tetorit të vitit të kaluar”,- deklaroi një ekspert i Credit Suisse në Nju-Jork. Nuk mendojnë në këtë mënyrë ekspertët e tjerë ndërkombëtarë. JP Morgan Chase parashikoi në tetor të vitit të kaluar se në afat njëvjeçar kursi euro-dollar do të fiksohej në 1,25 dollarë; por në një raport të fundit u tërhoq nga ky pozicion. Nga ana tjetër, ekspertët e Raiffeisen Bank thonë se dollari është monedha e keqe dhe se rritja e euros mbi 1,4 dollarë është thjesht problem kohe.

ECIKS / Shekulli