Daci kërkon investime greke

Kryetari i parlamentit të Kosovës, Nexhat Daci, ka kërkuar nga grekët investime në Kosovë, sidomos për ringritjen e hekurudhës Selanik-Mitrovicë dhe financimin e rrugës Selanik-Prishtinë

Prishtinë, 2 prill 2005 – Kryetari i parlamentit të Kosovës, Nexhat Daci, kërkoi nga Greqia më tepër investime në Kosovë, në veçanti financime për ngritjen e hekurudhës Selanik-Mitrovicë dhe rrugës Selanik-Prishtinë. Këtë kërkesë kryeparlamentari i Kosovës e bëri të enjten në Athinë, gjatë një vizitë të delegacionit të parlamentit të Kosovës. Ai i ka njohur grekët me potencialet e mëdha ekonomike të Kosovës, sidomos në lëmin e mineraleve dhe energjetikës. Zyra për informim e Kuvendit të Kosovës njoftoi se në kuadër të kësaj vizite, ky delegacion pati një takim me përfaqësues të parlamentit të Greqisë, të udhëhequr nga nënkryetari i parlamentit, Jorgo Surlas. Parlamentarët kosovarë gjithashtu morën pjesë si vëzhgues në një seancë parlamentare. Kryesuesi i kësaj seance, Surlas, përshëndeti parlamentarët nga Kosova. Jorgo Surlas përkrahu rrugën e stabilitetit në të cilën po ecën Kosova, duke theksuar se Greqia mbështet qëndrimin e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës. Sipas tij, Kosova do të shkojë përpara në aspektin e respektimit të të drejtave të minoriteteve, veçanërisht kur është fjala për respektimin e të drejtave të minoritetit serb. “Ballkani duhet të krenohet me të kaluarën e vet, meqë kemi një traditë 2 500- vjeçare zhvillimi. Duke folur për kontributin e pjesëtarëve grekë në kuadër të KFOR-it në Kosovë, Surlas tha se deri tani 6 mijë ushtarë kanë dhënë një ndihmesë të madhe për paqen dhe stabilitetin në rajon. Kryeparlamentari Daci falënderoi Greqinë për angazhimin e dhënë Kosovës, sidomos gjatë sulmeve të NATO-s, duke potencuar edhe rëndësinë e Greqisë që ka në rajon si anëtare e Bashkimit Evropian.

ECIKS / Biznesi