Shqipëria e para në turizëm

Sipas Organizatës Botërore të Turizmit, Shqipëria është vendi i cili përfiton më së shumti nga turistët. Sipas një liste të publikuar, ky shtet lë pas shumë vende të zhvilluara, duke përfshirë Australinë, Japoninë, Spanjën e vende tjera.

Tiranë, 2 gusht 2007 – Shqipëria është vendi i cili fiton 17.500 dollarë për çdo turist të ardhur nge vende të ndryshme. Këtë e ka bërë publike Organizata Botërore e Turizmit, e cila është degë e Kombeve të Bashkuara. Në fakt, në mbi 200 vende dhe territore në gjithë botën mund të duket e pabesueshme që vende si Moldavia, Libani dhe Bjellorusia fitojnë për çdo turist më shumë se Ishujt Parajsorë pa taksa. Kjo mund të jetë për shkak se vizitorët e zakonshëm janë biznesmenë dhe në vende më pak mikpritëse, kostoja është më e lartë. Një vend i shtrenjtë kërkon shpenzime më të larta nga vizitorët.

Po kështu janë vendet e gjera me shumë hapësira për të eksploruar, si Australia dhe India, ku turistët zakonisht rrinë më gjatë.

Sipas radhitjes e cila është publikuar në gazetën The Economist, Shqipëria ka arritur t’i tejkalojë 17 vende tjera. Por në mesin e kësaj liste, shteti shqiptar ka lënë pas vende të zhvilluara si Australinë, Suedinë, Japoninë, ShBA-të, Kuvajtin, Zelandën e Re dhe disa vende tjera, të cilat konsiderohen se përfitojnë nga turizmi.

Edhe pse ky vend nga kosovarët dhe banorët e vendeve tjera të rajonit nuk konsiderohet se ia vlen për të shpenzuar para t’i kalojnë pushimet në të, turistët nga vende më të largëta nuk mendojnë kështu. Fakti se këta turistë nuk janë edhe aq shumë të interesuar që vendi në të cilin vendosin të pushojnë nuk ka rëndësi, nëse ka arkitekturë apo ekonomi të zhvilluar, e dëshmon edhe radhitja e cila është publikuar nga kjo organizatë.

Shqipëria si përfituesja më e madhe nga këta turistë, përcillet nga Moldavia e cila gjendet në vendin e dytë dhe Libani në të tretin. Në mesin e kësaj liste gjinden edhe shtete të cilat nuk njihen se kanë vende turistike, si Bosnja dhe Hercegovina dhe Bjellorusia, kur dihet se kjo e para ka vetëm 12 kilometra qasje në detin Adriatik, ndërsa shteti bjellorus nuk ka asnjë metër në det.

Gazeta Express