Shqipëri: ndërtohet tuneli më i gjatë në Ballkan

Kukës, 7 dhjetor 2006 – Tuneli më i gjatë në Ballkan, pjesë e rrugës Durrës-Kukës, është vetëm një “kilometër” larg. Makineritë dhe punonjësit e kompanisë “Joint Venture” BECHTEL& ENKA, janë shumë afër nisjes së punimeve për hapjen e tunelit rreth 5 kilometra të gjatë, që do të mundësojë kalimin nëpërmjet malit të Thirrës. Zëdhënësi dhe përfaqësuesi i kompanisë ENKA, Flamur Baruti, ka bërë të ditur se shumë shpejt, me një ceremoni festive do të nisin punimet e hapjes së këtij tuneli, që është ndër më të gjatë e llojit në Ballkan. Kompania amerikane, BECHTEL dhe ajo turke, ENKA, kanë filluar punën në ndërtimin e segmentit më të vështirë Kalimash- Rrëshen, 57 kilometra, ku përfshihet edhe tuneli i Thirrës, 5 kilometra i gjatë. Fillimisht ka filluar hapja e rrugës që do të lidhë rrugën nacionale ekzistuese me tunelin e Thirrës, nga pjesa e Kukësit. Ky tunel, në pjesën e Kukësit, është projektuar në shpatet e malit të Rrunës, ose siç quhet ndryshe, bjeshka e Kalimashit. Në Fushë- Dukagjin, rreth 10 kilometra larg nga qyteti i Kukësit, ndan rruga për në fshatin Surroi. Në të njëjtin vend do të ndahet edhe rruga e re, 57 kilometra e gjatë, e cila do të përshkojë grykën e lumit të Fanit, në përbërje të së cilës është edhe tuneli i Thirrës, si dhe një numër i madh urash, viaduktesh dhe skarpatesh, deri në 80 metra të larta. “Me 8 mjete të rënda në dispozicion, midis tyre 4 ekskavatorë dhe me një personel prej 14 personash, kemi arritur që brenda një periudhe më pak se njëmujore, të hapim rrugën dykalimëshe, të shtruar me çakëll dhe me kanalizime, rreth 13 kilometra nga Fushë- Dukagjini, deri në vendin ku do të fillojë hapja e tunelit”, thotë Flamur Baruti. Ai shton se, “brenda muajit dhjetor, apo në fillim të janarit, do të fillojë puna për hapjen e tunelit, ku do të realizohet shpërthimi i parë. Njëra prej makinerive ka ardhur, ndërkohë që janë rrugës edhe dy të tjera. Do të jetë një ceremoni festive, ku do të marrin pjesë personalitetet më të larta të shtetit shqiptar dhe përfaqësues të SHBA-së e Turqisë. Për këtë ceremoni janë porositur edhe fishekzjarrë”. Punimet në tunel do të realizohen me metodën e shpërthimeve me eksploziv për formacionet shkëmbore, ndërkohë që makinat gërryese përdoren vetëm për formacione të buta. “Llogaritet që të avancohet minimalisht me 5 metër në ditë, ku do të punohet në dy drejtime. Përfshirë edhe rrugën nga Rrësheni deri në Fushë-Dukagjin, e cila është llogaritur që të përfundojë brenda dy vjetësh dhe për këtë, drejtuesit e dy kompanive janë shprehur mjaft të sigurt”, sqaron Flamuri.

Shekulli / ECIKS