BE zgjat mandatin e AER

Prishtinë, 7 dhjetor 2006 – Bashkimi Evropian ka zgjatur mandatin e Agjencisë Evropiane për Rindërtim (AER), edhe për dy vjet të tjera, pra deri më 31 dhjetor të vitit 2008. AER-i është përgjegjës për menaxhimin e programeve kryesore të asistencës së BE-së në Kosovë, Serbi, Mal të Zi dhe në Maqedoni. Ky vendim lejon Agjencinë të vazhdojë zbatimin e projekteve të financuara në kuadër të Programit të Asistencës së Komunitetit për Rindërtim, Zhvillim dhe Stabilizim (CARDS) të BE-së, i cili përfundon në vitin 2006. Asistenca e ardhshme e KE-së, që do të dhurohet në kuadër të programit CARDS gjatë dy viteve të ardhshme, kap shumën prej 680 milionë eurove.

Deri tani, Agjencia ka menaxhuar një asistencë të BE-së në vlerë prej më shumë se 2.8 miliardë euro në të katër qendrat e saj operative. Prej këtyre fondeve, 2.4 miliardë euro (ose 83 %) janë kontraktuar, ndërsa 2.1 miliardë euro (ose 75 %) janë paguar. Shuma të mëdha janë kontraktuar dhe shpenzuar shpejt, duke ndryshuar jetën e njerëzve në rajon. “Agjencia është pjesë e përpjekjeve të gjera të BE-së për të stabilizuar Ballkanin dhe për të shtruar rrugën e rajonit për anëtarësim eventual në Bashkimin Evropian”, tha drejtori i AER-it, Richard Zink. “Agjencia është duke ndihmuar këto vende perms reformave kyçe në përmirësimin e funksionimit të qeverisë dhe në mbështetjen e zhvillimit ekonomik dhe social”. Agjencia është themeluar në shkurt të vitit 2000, si krahu kryesor i BE-së për rindërtimin e Kosovës së shkatërruar nga lufta.

EXPRESS / ECIKS