Shqipëri: investime në ekploatimin e naftës

Tiranë – Qyteza e njohur si qyteza e krijuar prej naftës, pasi banorët e kësaj zone sollën familjet në këtë vend, duke punuar në këto puse nafte gati gjysmë shekulli më parë, pritet të kthehet në një nga qendrat më fitimprurëse të biznesit në vend. Prej disa muajsh kanadezët janë përqendruar në Patos-Marinzë për të shfrytëzuar më tepër rezervat e naftës që ndodhen në këtë vendburim. “Bankers Petroleum” ka bërë të ditur se gjatë tri viteve të ardhshme ajo do të investojë gati 370 milionë dollarë në këtë vend strategjik për burimin e naftës. Gjithë ky investim synon rritjen e prodhimit të naftës. “Bankers” është një kompani ambicioze nëse i referohemi parashikimeve që ajo i ka bërë biznesit të saj. Kohë më parë ajo njofton se deri në fund të vitit 2010 kishte parashikuar të arrinte 10 mijë fuçi nafte në ditë, ndërsa sipas informacioneve të fundit nga kjo kompani, për dy vitet e ardhshme pritet që numri i fuçive në ditë të rritet në 20 mijë. E konvertuar në shifra me çmimet aktuale të naftës, ku një barel në Shqipëri po shitet me më shumë se 50 dollarë, i bie që në fund të vitit 2010 “Bankers” të nxjerrë në Patos plot një milion dollarë në ditë prodhim. Kështu tri vitet e ardhshme pritet të jenë produktive, duke riaktivizuar rreth 250 puse ekzistuese si dhe shpimin e 60 puseve të rinj horizontalë dhe vertikalë. Gjatë këtij viti kjo kompani ka arritur shifrën shtatë fuçi në ditë, shifër që pritet të rritet në vitet në vijim për të vajtur në 20 fuçi në ditë më 2009-n. Kjo kompani ka marrë së fundmi të drejtën e shfrytëzimit edhe të fushës naftëmbajtëse të Kuçovës, duke blerë 50 për qind të aksioneve të “Privatco”. Mësohet se për Kuçovën shoqëria kanadeze ka një tjetër plan rezervë. Kjo kompani pritet të shndërrohet në tri vitet e ardhshme në një nga kompanitë më të mëdha në Shqipëri, duke pasur parasysh çmimet e naftës në vend. Një fuçi naftë shitet 50 dollarë dhe me një prodhim vjetor prej 20 mijë barelësh të ardhurat e një viti arrijnë në 350 milionë dollarë. Për 25 vjet, aq sa është dhe koncesioni i “Bankers”, me këtë sasi prodhimi Patos-Marinza do të gjenerojë gati 8,5 miliardë dollarë të ardhura. Kjo shifër është e barabartë me 80 për qind të prodhimit të brendshëm bruto të Shqipërisë.

“Bankers Petroleum” vepron në Shqipëri nëpërmjet filialit të saj “Saxon”. Në verën e vitit 2004, “Albpetrol” i jep “Saxon” një licencë 25-vjeçare për zhvillimin e zonës së Patos-Marinzës, e cila prodhonte rreth 13 mijë barelë në ditë në kohën e saj më të mirë në vitet 1960. Në mars të vitit 2006, “Saxon” paraqiti edhe planin e saj të zhvillimit, ku kishte parashikuar që deri në vitin 2010 të investonte rreth 213 milionë dollarë. Por, zhvillimet e fundit në tregun ndërkombëtar të naftës, ku çmimet po vendosin rekorde të reja nga dita në ditë, duket se e kanë shtyrë “Bankersin” që të rishikojë planet e saj të investimeve. Aktualisht, kjo shoqëri prodhon rreth 6 mijë fuçi në ditë nga 3800 që prodhonte në vitin 2006. Sipas informacioneve më të fundit kompania pritet të investojë më shumë se 370 milionë dollarë deri në 2010-n, duke u kthyer në një nga kompanitë më të fuqishme në vend. Patos-Marina ka qenë gjithnjë një qendër e rëndësishme e prodhimit të naftës në vend. Bile banorët që jetojnë në këtë zonë kanë ardhur gjatë kohës së komunizmit, kur qeveria socialiste ndërtoi këtë qytet, falë burimeve të naftës që ekzistonin këtu, kjo zonë u kthye në një qytet të vogël, i njohur si qyteti i naftës. Pas një krize që pushtoi këtë vend pas rënies së komunizmit, duket se marrja me koncesion nga privatet e ka kthyer atë në një nga pikat më strategjike në vend. Në këtë zonë ka rreth 2500 puse nafte prej gati 88 vitesh.

Marrur nga Koha Ditore