Shpronësimet pengojnë punët në ndërtimin e autostradës

Kukës, 28 janar 2007 – Problemet e pronësisë po e vënë në pikëpyetje ecurinë e punimeve për realizimin e projektit të madh për ndërtimin e rrugës që do ta lidhë Portin e Durrësit me Kosovën. Tri ditë më parë, një grumbull banorësh, në tokat e të cilëve kalon rruga, ka tentuar sërish ta ndalojë punën e makinerive të rënda. Incidenti i fundit është regjistruar në fshatin Shtiqën të Kukësit, ku rruga prek tokat bujqësore të rreth 80 familjeve, por që asnjëra prej të clave nuk ka marrë asnjë lek si dëmshpërblim, edhe pse shpronësimi real është bërë përpara katër muajsh, shkruan gazeta “Shqip”. Sipas kësaj gazete, shefi i Komisariatit të Kukësit, Muharrem Furriku, ka njoftuar se një grup prej 30 burrash të fshatit Shtiqën i ka kërcënuar përfaqësuesit e firmës që punon për ndërtimin e rrugës.

Sipas kryepolicit të Kukësit, forcat policore e kanë ndjekur në distancë situatën për të mos krijuar tensione dhe nuk kanë ndërhyrë për sa kohë fshatarët nuk e kanë kryer asnjë veprim, por vetëm kanë folur, duke paralajmëruar protesta për ndërprerjen e punimeve, çka ua kanë bërë të qartë edhe pushtetarëve vendorë. Procesi i shpronësimeve të tokës së trasesë së autostradës Durrës- Kukës-Morinë vazhdon të futet gjithnjë e më tepër në labirinte të vështira. Projekti fillestar i veprës ka pasur në dosjen e dërguar subjekteve të linjës në bazë edhe titujt e pronave dhe sasinë e tokës që do të shpronësohej. Mirëpo, një pjesë e madhe e banorëve nëpër fshatra nuk i kanë të regjistruara tokat e tyre në kadastër.

ECIKS / Gazeta Lajm