Tiranë, 28 janar 2007 – Banka Botërore ka hapur dritën e gjelbër për fillimin e punimeve që do të mundësojnë ndërtimin e termocentralit (TEC) të Vlorës. “Burime zyrtare nga BB kanë pohuar se përfaqësia e Bankës Botërore në Shqipëri ka dhënë formalisht aprovimin për fillimin e punimeve, duke nënkuptuar edhe gatishmërinë e saj për të filluar disbursimin periodik të fondeve të korduara nga ajo për zbatimin e projektit”, shkruan gazeta “Shqip”. Kjo, sipas kësaj gazete, ka bërë që KESH dhe kompania fituese që do të ndërtojë TEC-in, të nënshkruajë pasditen e së premtes kontratën paraprake për fillimin e punimeve, të cilat parashikohen në periudhën mars-prill të këtij viti. Lajmin e ka konfirmuar edhe drejtori i Divizionit të Shpërndarjes në KESH, Muharrem Stojku, i cili ka bërë të ditur për mediat nënshkrimin e kontratës mes drejtorit të përgjithshëm të KESH-it, Andi Beli, dhe përfaqësuesit të kompanisë italiane “Maier Inginering”. “Doja të theksoja se sapo mora lajmin që është nënshkruar kontrata për ndërtimin e TEC-it të Vlorës, e cila ishte e paralajmëruar që do të nënshkruhej brenda muajit janar”, ka thënë Stojku. Vetëm pak ditë më parë, drejtori i firmës “Maier Inginering” ka qenë në Tiranë për të përfunduar me KESH-in përpilimin e dokumenteve të kontratës që do t’u dorëzoheshin bankave financuese. TEC-i i Vlorës do të realizohet me një financim prej 92 milionë euro, do të ketë një fuqi 90 MW dhe pritet të përfundojë brenda 24 muajsh.
ECIKS / Gazeta Lajm