Shërbimi Doganor në duar të kosovarëve

Prishtinë, 3 prill 2007 – Shërbimi Doganor i UNMIK-ut që nga sot është bërë me drejtor vendor dhe me qendrën e re moderne operative. Drejtori i deritashëm i Shërbimit doganor, Peter Walker, në një ceremoni të rastit ia dorëzoi në mënyrë simbolike gradat e tij drejtorit të ri, Naim Huruglicës.
Walker theksoi se përkundër shumë të arriturave në Shërbimin doganor, mbetet akoma shumë punë për t’u bërë: “Ne ju sigurojmë se angazhimi dhe përkushtimi ynë nuk do të mungojë në asnjë çast që Shërbimi doganor i Kosovës të jetë një shërbim doganor modern, në shërbim të qytetarëve dhe ekonomisë së Kosovës”, tha ai.

Ndërkaq kryeministri, Agim Çeku, shprehu bindjen se shumë shpejt do të mbahet ceremonia tjetër e rëndësishme. “Shprehi bindjen time se shumë shpejt do të takohemi këtu në ceremoninë e radhës kur do ta zëvendësojmë fjalën Shërbimi Doganor i UNMIK-ut me fjalën Shërbimi Doganor i Kosovës dhe do ta inaugurojmë edhe flamurin e ri edhe stemën e re të SHDK”, tha ai

Po ashtu me këtë rast është përuruar edhe Qendra Operative e Shërbimit Doganor, ku 24 orë në ditë – 7 ditë në javë – të gjitha pikat doganore do të jenë nën mbikëqyrje të kamerave.

ECIKS / Telegrafi