Zyra Austriake në Prishtinë / Agjencia Austriake për Zhvillim
Ministria për Tregti dhe Industri / Agjencia e Kosovës për Promovimin e Investimeve
Nisma Ekonomike për Kosovën
KOMUNIKATË PËR SHTYP
2 prill 2007
Nga nëntori 2006, me financim të Agjencisë Austriake për Zhvillim (ADA), Nisma Ekonomike për Kosovën (ECIKS), organizatë kjo me seli në Vjenë, është duke implementuar projektin “Promovimi i Investimeve të Huaja në Kosovë”.
Në kuadër të këtij projekti, ECIKS ka hapur zyren në Vjenë dhe përfaqëson Agjencinë e Kosovës për Promovimin e Investimeve (IPAK) në rajonin gjermanofolës (Austri, Gjermani, Zvicërr). Projekti përkrahet edhe nga Ministria për Tregti dhe Industri, në kuadër të së cilës vepron IPAK.
Pas përfundimit me sukses të fazës fillestare, zyra në Vjenë, në koordinim të ngushtë me IPAK, është duke i shtuar aktivitet në drejtim të përmirsimit të imazhit të Kosovës dhe identifikimit të investitorëve potencial nga ky rajon, duke i ofruar atyre informata dhe shërbime lidhur me mundësitë e investimeve në Kosovë. Zyra në Vjenë deri më tash ka identifikuar mbi 100 investitorë potencial, përderisa 9 prej tyre tashmë janë duke i shfrytëzuar shërbimet e kësaj zyre dhe janë duke konsideruar seriozisht investimet në Kosovë. Gjate ditëve të kaluara, dy kompani austriake kanë vizituar Kosovën, duke shfrytëzuar shërbimet e zyres së IPAK në Vjenë. Fakti që kompani serioze austriake gjatë muajve të fundit kanë konkuruar në sektorin e energjisë dhe telekomunikacionit në Kosovë, përderisa edhe dy kompani tjera kanë hyrë në tregun kosovar të sigurimeve, dëshmon për interesimin në rritje të investitorëve austriak për Kosovën.
Duke i përkrahur projektet në fushën e ekonomisë dhe punësimit, Agjencia Austriake për Zhvillim ka për qëllim intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Austrisë si dhe shfrytëzimin e potencialit dhe interesimit të investitorëve austriak për Kosovën, në koordinim të ngushtë me faktorët lokal në Kosovë, si MTI, IPAK dhe Agjencia Evropiane për Rindërim – AER.