Shënohet 132 vjetori i hekurudhave të Kosovës

Prishtinë, 25 gusht 2006 – Është mbajtur dje në Fushë Kosovë manifestimi i 132 vjetorit të hekurudhave të Kosovës, në të cilën ishin të pranishëm përfaqësues të institucioneve të Kosovës, të UNMIK- ut, KFOR- it, TMK- së SHPK-së si dhe zyrtarë të Hekurudhave të Kosovës.

Drejtori menaxhues i Hekurudhave të Kosovës Xhevat Ramosaj , premtoi përmbushjen e objektivave.

“Me kënaqësi mund të konstatojë se muajt e fundit ekziston një tendencë e ngritjes së transportit të mallrave, sidomos transportit me kontejner. Kjo është një shenjë e mirë se klientët po e kuptojnë se ne jemi një kompani serioze, e besueshme dhe efikase. Prandaj apeloj te të gjithë qytetarët e Kosovës që të orientohen në transportin hekurudhor, sepse në këtë mënyrë do të kenë transport të sigurt, më të lirë dhe në sasi më të madhe”, tha Ramosaj.

Ndërkaq ministri i transportit dhe Post-Telekomunikacionit të Kosovës, Qemajl Ahmeti, ka sqaruar se përkundër faktit që hekurudhat janë pjesë e pushtetit të rezervuar, që nga fillimi është punuar dhe po punohet drejt rimëkëmbjes së tyre dhe krijimit të strategjisë që ky segment i rëndësishëm të ketë qëndrueshmëri ekonomike.

Ndërsa, përfaqësuesja e Shtyllës së Katërt të UNMIK – ut, Kiara Bronk, ka shprehur edhe njëherë gatishmërinë e UNMIK – ut që të ndihmojë në zhvillimin e hekurudhave të Kosovës, në mënyrë që ato të bëhen shumë më të sigurta se sa transporti rrugor, pasi që hekurudhat kanë edhe një përparësi tjetër të madhe – është modaliteti transportues më i pranuar dhe më i përshtatur nga këndvështrimi i ambientit.

ECIKS / RTK