Ruecker: Ekonomia e Kosovës në rreth vicioz

Ekonomia e Kosovës, pavarësisht nga disa të arritura, gjendet brenda një rrethi vicioz, për shkak të shkallës së lartë të papunësisë dhe bilancit negativ në tregtinë e jashtme. Kështu u shpreh shefi i shtyllës së katërt të UNMIK-ut, Joakim Ruecker gjatë takimit me menaxhmentin e Odës Ekonomike të Kosovës

Prishtinë, 9 shkurt 2006 – Sipas tij, “statusi përfundimtar, integrimi në ekonominë evropiane dhe zhvillimi i përparësive krahasimore të Kosovës”, ndikojnë që të dilet nga ky rreth. Ekonomia e Kosovës gjendet në një rreth vicioz, për shkak të shkallës së lartë të papunësisë dhe tregtisë së pabalancuar me jashtë, tha shefi i shtyllës së katërt të UNMIK-ut, Joachim Ruecker gjatë vizitës në Odën Ekonomike.

Për të dalë nga ky rreth, sipas tij ekziston një përgjigje abstrakte dhe një konkrete:

“Përgjigja abstrakte është se Kosova duhet të bëjë tri gjëra: së pari statusi përfundimtar do të ndihmojë shumë, së dyti, duhet të krijohet integrim i fortë në ekonominë evropiane, sepse tregu prej dy milion banorësh nuk është i mjaftueshëm dhe së treti Kosova duhet të zhvillojë përparësitë e saj krahasimore, dhe zhvillimin ta orientojë drejt këtyre përparësive krahasimore”.

Ai theksoi se duhet të punohet në drejtim të zhvillimit të sektorit të minierave dhe të energjisë, si dhe në bujqësi. Por, sferat konkrete në të cilat duhet fokusuar në të ardhmen, sipas Rueckerit janë investimet në infrastrukturën publike dhe investimet private: “Kosova ende ka nevojë për ndihmë në infrastrukturën publike, respektivisht në sektorin e energjisë por edhe në sektorët tjerë. Kurse, investimi në sektorin privat konsiderohet makinë e zhvillimit të Kosovës” tha Ruecker.

Ndërkaq kryetari i Odës Ekonomike, Besim Beqaj pohoi se furnizimi me energji elektrike, që është përkeqësuar shumë kohëve të fundit, paraqet shqetësimin më të madh për komunitetin e biznesit.

“Ne e kuptojmë gjendjen emergjente që është e pranishme në Kosovë sa i përket energjisë. Por, duam të inkurajojmë të gjitha palët e interesit, apo pjesëmarrësit në sektorin e energjisë se biznesi duhet të trajtohet me përparësi të lartë, sepse këto biznese punësojnë njerëz dhe janë të gatshëm të paguajnë faturat e energjisë”.

Beqaj theksoi se nëse këto biznese punësojnë njerëz dhe paguajnë energjinë, atëherë në mënyrë indirekte ndihmojnë pagesën e energjisë nga personat individual.

Një tjetër problem që u cek në këtë takim ishte bllokimi i aksit rrugor që lidh Kosovën me Maqedoninë, dhe që po u shkakton shumë probleme biznesmenëve vendorë dhe importuesve të shumtë.

ECIKS / RTK