Rruga Merdare-Morinë: Gjermanët fitojnë tenderin për projektim

Prishtinë, 22 maj 2004 – Dje në Prishtinë, u bë dorëzimi i kontratës për projektin zbatues tëautostradës Prishtinë – Durrës. Kontratën për realizimin e këtij projekti, kompanisë gjermane GBI që ka fituar tenderin, në mënyrë solemne ia dorëzoi presidenti i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova.

“Sot po e përtrijmë rrugën antike shqiptaro–romake e cila lidhte Kosovën me detin, pra me gadishullin Ilirik, të cilit për fat të keq iu ndërrua emri në Gadishullin Ballkanik, i cili emër i solli vetem tragjedi popullit të këtij rajoni” u shpreh sot presidenti Rugova në ceremoninë e dorëzimit të kontratës për hartimin e projektit zbatues të autostradës Prishtinë – Durrës.

Ministri i Transportit dhe Post Telekomunikacionit Zef Morina shprehu bindjen e tij se Kosova gjatë kësaj dekade do të lidhet drejtëpërdrejt me Evropën.

Kompania gjermane GBI do të bëjë hartimin zbatues të projektit. Tenderi për punimet e rrugës Merdare-Prishtinë-Morinë (pjesa kosovare e autostradës) do të fillojë vitin e ardhshëm.

ECIKS / RTK