Rritet prodhimi agro-ushqimor gjatë vitit 2003

TIRANË, 16 JANAR 2004 – Prodhimi agroushqimor në Shqipëri gjatë vitit 2003 ka shënuar një rritje prej 1.2 për qind në krahasim me vitin 2002. Kjo shifër është më e ulëta gjatë këtyre viteve të fundit, edhe pse ky prodhim është rritur. Aktualisht, industria ushqimore agropërpunuese përfaqësohet nga 2.900 fabrika dhe linja përpunimi, numër ky që nuk ka ndryshuar shumë me vitin e kaluar. Këto fabrika përfshihen kryesisht në ndërmarrje të vogla dhe të mesme. Sipas të dhënave nga Ministria e Bujqësisë dhe Ushqimit, rezulton se gjatë vitit që sapo u mbyll, kompanitë e konsoliduara në fushën e agropërpunimit kanë rritur investimet private, përgjithësisht në drejtim të teknologjisë, e cila është importuar nga shtetet perëndimore, kryesisht nga Italia, Greqia dhe Gjermania.

Sektori i prodhimit
Prodhimi i sektorit të agroindustrisë, sipas statistikave të dikasterit të bujqësisë, gjatë vitit 2003 ka shënuar një rritje prej 1.2 për qind, ndonëse aktualisht kjo industri plotëson rreth 25 për qind të kërkesave të tregut, ndërsa 75 për qind plotësohen nga importi. Kryesisht biznesmenët që merren me agroindustri e kanë shtrirë aktivitetin e tyre drejt përpunimit të artikujve që bazën kryesore e kanë prodhim vendi, në sektorët e blegtorisë, pemëtarisë, rrushit etj.

Për vitit 2003, sipas të dhënave nga MBU-ja, në krahasim me vitin e kaluar është rritur 8 për qind dhe numri i të punësuarve në këtë sektor. Statistikat e vitit të kaluar shënojnë se 37 për qind e të punësuarve janë femra dhe punësimi në agroindustri përfshin 20 184 persona. Sipas të dhënave zyrtare, një kontribut në konsolidimin e këtij sektori kanë dhënë dhe projektet e ndryshme, ku ndër më të rëndësishmit janë granti japonez “Rritja e prodhimit ushqimor”, përmes të cilit janë instaluar në rrethe të ndryshme të vendit linja përpunimi të kësaj industrie agropërpunuese. Kjo industri është një nga industritë më të zhvilluara në vend dhe pritet që investimet e mëdha të bëra në të të rrisin prodhimin agroushqimor.
Por agrobiznesi gjatë vitit të kaluar është ndeshur me vështirësi të mëdha, sidomos për tarifat doganore, si dhe për shkak të marrëveshjeve të tregtisë së lirë, të cilat, sipas përfaqësuesve të agrobiznesit, po e pengojnë zhvillimin e këtij sektori. Ata kanë kërkuar që qeveria dhe konkretisht Ministria e Ekonomisë të rinegociojnë marrëveshjen e Shqipërisë me Organizatën Botërore të Tregtisë (OBT) gjatë këtij viti

ECIKS / BIZNESI