Prishtinë, 11 janar 2007 – Kosova vazhdon të ketë bilanc tregtar negativ. Në nëntor të vitit të kaluar, importi me eksport është mbuluar vetëm 5.5 për qind. Deficiti tregtar gjatë kësaj periudhe ka qenë afro 109 milionë euro. Krahasuar me nëntorin e vitit 2005, deficiti tregtar është rritur për 24 milionë euro. Në nëntor të vitit 2005, deficiti tregtar ishte 84.5 milionë euro. Bazuar në të dhënat e fundit të Entit Statistikor të Kosovës, eksporti në muajin nëntor të vitit 2006 ishte 6.3 milionë euro, ndërsa importi 115 milionë euro. Ndërkaq, në total, deri në nëntor Kosova ka importuar mallra në shumën prej mbi 1 miliardë e 100 mijë euro, ndërsa ka eksportuar vetëm 76 milionë euro. Gjatë vitit 2005, mallra të importuara ishin mbi 1 miliard euro, kurse të eksportuara vetëm 49 milionë euro.
Bazuar në këto të dhëna, 48.5 për qind të eksportit e përbëjnë metalet bazë dhe produktet e tyre, 13.6 për qind produktet minerale, 12.1 për qind lëkura dhe artikuj të saj, 7 për qind produktet bimore dhe 5.8 për qind ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani.
Ndërsa sa i përket importit, 18.7 për qind e përbëjnë produktet minerale, 12.4 për qind ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, 11.9 për qind makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike, 8.1 për qind metale bazë dhe artikuj prej tyre dhe 7.4 për qind produktet bimore.
ECIKS / Gazeta Lajm