Ringjallet “Plani i Banskos” për zhvillimin ekonomik

Plani i Qeverisë për zhvillim ekonomik, i njohur ndryshe edhe si “Plani i Banskos”, i hartuar vjet, është “ringjallur” përmes Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik (KKZHE), i cili ka mbajtur të hënën takimin e vet të parë.

Ky këshill është vendosur të ketë në përbërje gjysmën e ministrive të Kosovës dhe të kryesohet nga zëvendëskryeministrja, Mimoza Kusari- Lila, e cila njëkohësisht është edhe ministre e Tregtisë dhe Industrisë. Në takimin e parë të tij është diskutuar mbi reformat dhe politikat ekonomike dhe aty u miratua rregullorja mbi strukturën dhe funksionimin e këshillit.

Në konferencën për shtyp, të mbajtur pas takimit, ministrja Kusari-Lila ka thënë para gazetarëve se “ky këshill do të koordinojë dhe udhëheq hartimin e politikave dhe implementimin e reformave që kanë për qëllim përmirësimin e biznesit dhe ambientin e investimeve, si dhe arritjen e qëndrueshme ekonomike”.

Kusari-Lila ka pohuar se ngritja e dialogut publiko-privat ndërmjet Qeverisë dhe bizneseve ka rëndësi kruciale dhe pikërisht për këtë arsye, komuniteti i biznesit do të jetë i përfshirë në të gjitha proceset e hartimit të politikave: “Komuniteti i biznesit duhet ta perceptojë këtë këshill si vend ku mund t’i shprehin pikëpamjet dhe idetë për reformat ekonomike”.

”Është tejet e rëndësishme që çdo legjislacion që ka ndikim në politikat ekonomike të diskutohet fillimisht në këtë forum, në mënyrë që të gjitha palët e përfshira në këtë proces të jenë të informuar dhe të japin kontributin e tyre për të bërë procesin sa më gjithëpërfshirës dhe efikas që është e mundur”, ka theksuar ajo.

Në lidhje me prioritetet që ka Këshilli, përpos ligjeve, ajo ka thënë se “përveç aspektit legjislativ është edhe përcaktimi i prioriteteve zhvillimore, konsolidimi i dialogut publiko-privat dhe bashkërendimi i prioriteteve, të cilat pastaj do t’i rekomandohen edhe Qeverisë dhe Kuvendit nëse ka nevojë”.

Duke sqaruar se cilat janë në fakt pjesët e implementuara të këtij Plani, ose që janë në implementim e sipër, Kusari-Lila ka thënë se fjala është për avancimin e objektivave për zhvillim ekonomik si dhe ruajtja e qëndrueshmërisë makro-fiskale. “Është punuar në drejtim të gjetjes së modalitetit në rishikim të politikave fiskale dhe hartimi i listës së produkteve që do të lirohen nga tatimet, siç është lënda e parë për sektorët e prodhimit dhe ambalazhi, si dhe paketimi. Këtu bënë pjesë edhe emetimi i letrave me vlerë-bonot e para, të cilat tashmë janë në realizim e sipër“ ka thënë ajo. .

Në Këshill janë të ftuar të marrin pjesë edhe Oda Ekonomike e Kosovës, Oda Ekonomike Amerikane dhe Aleanca Kosovare e Biznesit.

/Koha/