Rimbursohen 4.4 milionë euro të BKP-së

Likuidatori i BKP ka arritur të kthejë tek depozituesit 4.4 milionë euro. Pa u kthyer
kanë mbetur edhe afro 32 milionë euro. Me rastin po merret edhe prokuroria.

Prishtinë, 30 qershor, 2006 – Pas revokimit të licencës së Bankës Kreditore të Prishtinës, likuidatori i bankës ka ndërmarrë shpejt dy valë rimbursimi për depozituesit; e para me një shumë deri në 1,000 euro dhe e dyta deri në 2,500 euro.

Në tërësi për këto dy këste rimbursimi, likuidatori siguroi një shumë prej 4, 426.759 eurosh, prej së cilës deri më tani janë paguar 3, 986.446 euro për depozituesit e BKP-së deri më 27 qershor të këtij viti. Disa depozitues të cilëve u është dhënë e drejta që të rimbursohen gjatë dy valëve të para , ende nuk e kanë plotësuar kërkesën.

Si rrjedhojë shuma prej 437.313 eurosh është e rezervuar dhe ruhet në një xhirollogari të veçantë në BPK.

Pas këtyre dy valëve të pagesave, BPK njoftoi se 89.45 për qind të depozituesve të BKP-së janë plotësisht të rimbursuar. Por, shuma e rimbursuar është shumë më e vogël se ajo që ishte e depozituar në kohën e falimentimit të BKP. Janë kthyer 4.4 milionë euro, ndërsa kanë mbetur pa u kthyer edhe rreth 32 milionë euro tjera.

Megjithatë, deri më 29 qershor 2006 ende ka mbetur një numër depozituesish të cilët nuk janë reimbursuar plotësisht, për arsye se vlera e depozitave të tyre ka qenë më e lartë se 3500 euro.

Likuidatori ka filluar rimbursimin shtesë që do të mbulojë pjesërisht depozituesit e mbetur.

Autoriteti Bankar dhe i Pagesave të Kosovës si dhe likuidatori theksojnë se shuma e pagesave të mbetura do të varet pikërisht nga mundësitë ose vullneti i atyre të cilët kanë huazuar para nga ish-Banka Kreditore e Prishtinës, me kthimin e kredive të cilat i kanë marrë.

Në fakt BPK-ja ka revokuar licencën e Bankës Kreditore të Prishtinës (BKP-së) dhe ka shkarkuar anëtarët e bordit dhe menaxherët, pikërisht ngase shumica e huamarrësve nuk paguanin kreditë të cilat i kishin kontraktuar.

Në realitet disa prej huamarrësve ishin anëtarë të bordit ose aksionarë të bankës. Aq më tepër, në bazë të vrojtimit të BPK-së, është konstatuar se një numër i konsiderueshëm i vendimeve për kredi ishin marrë në mungesë të një analize financiare dhe të procedurave të mirëfillta.

Si rrjedhojë, BPK-ja ka referuar tek prokurori të dhënat mbi mosrespektimin e mundshëm të ligjit dhe rregulloreve.

Bazuar në parashikimet e tanishme për kthimin e kredive, sipas BPK, likuidatori parasheh mundësitë e mira për kthimin e mjeteve të mbetura depozituesve deri në 70 për qind të mjeteve të mbetura brenda një periudhe të caktuar kohore të likuiditetit.

Rimbursimet më të shpejta në masë më të madhe (mbi 70 për qind) apo edhe rimbursimi i plotë mund të arrihet nëse huamarrësit paguajnë kreditë sipas kushteve të rregullta.

Deri sa likuidatori të mbledhë fonde të mjaftueshme, procesi i rimbursimit do të kryhet në disa këste në mënyrë që të mbulohen 70 % të depozitave, me një limit rimbursimi deri në 20 mijë euro. Pjesa e parë e këtyre pagesave do të arrijnë vlerën 1.7 milionë euro, e cila ka filluar.

Sipas BPK, kur të gjithë depozituesit e mbetur do të rimbursohen deri në 20 mijë euro, likuidatori do të mbulojë gradualisht dhe proporcionalisht deri në 70 për qind të mjeteve të depozituesve.

Kur të gjithë depozituesit do të rimbursohen deri në 70 për qind, atëherë likuidatori do të kryejë rimbursimet shtesë, proporcionalisht sipas shumave të mbledhura nga kreditë e kthyera.

Gazeta Ekspress