Çeku: Procesi i hartimit të Planit Zhvillimor është në rrugë të mirë

Prishtinë, 1 korrik 2006 – Kosova ka potenciale të mëdha të zhvillimit ekonomik dhe shumë shpejt duhet të kompletohet Korniza e Planit zhvillimor, me qëllim të identifikimit dhe përcaktimit të prioriteteve bazë për një rritje të hovshme ekonomike. Kështu tha sot kryeministri Agim Çeku, pas takimit të Komitetit Drejtues të Planit Zhvillimor të Kosovës. Hartimi i strategjisë për zhvillimin ekonomik të Kosovës, e cila pritet të jetë gati deri në fund të këtij viti, është mbështetur nga organizatat të ndryshme financiare ndërkombëtare dhe do të kushtojë rreth 2.400.000 euro.

Organizata të ndryshme financiare dhe kompani të huaja janë të interesuara për investime në Kosovë, por paraprakisht kërkohet identifikimi i burimeve për një rritje të shpejtë ekonomike. Kryeministri Agim Çeku, i cili është udhëheqës i Komitetit Drejtues të Planit Zhvillimor të Kosovës, konstatoi sot se procesi i hartimit të Planit zhvillimor është në rrugë të mirë. Ai tha se ky dokument është i pranueshëm edhe për donatorët e huaj, duke thënë se ai garanton një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik të Kosovës. “Kosova ka potencial për zhvillim ekonomik, ka mundësi për një zhvillim të hovshëm ekonomik dhe kjo strategji do t’i përcaktojë drejtimet prioritetet, format, mënyrat, e rritjes ekonomike në Kosovë, e cila kryesisht bazohet në rritjen e investimeve të drejtpërdrejta të huaja në Kosovë, në zhvillimin e industrisë, dhe ngritjen e produktivitetit të ndërmarrjeve të Kosovës. Kryeministri tha se dokumenti pritet të jetë gati deri në fund të këtij viti, ndërsa zbatimi i tij do të fillojë menjëherë vitin e ardhshëm.

Drejtuesi i Sekretariatit të këtij Komiteti, Muhamet Sadiku prezantoi sot Kornizën Makroekonomike për periudhën 2007-2013. “Ky është një ndër dokumentet më vitale që është prodhuar gjatë kësaj kohe. Në fakt, ne kemi adresuar çështjen e projektimit të zhvillimit të ardhshëm të Kosovës, sepse siç e dini, për periudhën 2007-2009, është bërë një projeksion nga FMN-ja, por kësaj here ne kemi ofruar një projektim për periudhën 2007-2013, që do të reflektojë, ne shpresojmë, një optimizëm më të madh në zhvillimin dhe rritjen ekonomike të ardhshme të Kosovës”.

Por, energjetika dhe minierat janë faktorët kryesorë për një zhvillim më të shpejtë të ekonomisë. Ministri Et’hem Çeku tha se kompani të mëdha, si nga SHBA, Franca, Gjermania, Italia, Turqia, Rusia etj, kanë shfaqur interesim për të investuar në sektorin energjetik dhe në atë të minierave. “Kemi të gjitha vendet dhe kompanitë më të mëdha botërore, të cilat janë të interesuara për të investuar në fushën e energjisë dhe miniera. Ne presim që në vitin 2007 të kemi investime të para në miniera, posaçërisht në minierën e lignitit”.

Agjencia amerikane për zhvillim ndërkombëtar, AER-i, DIFID-i, SIDA, Komisioni Evropian, FMN-ja, Banka Botërore e organizata tjera financiare ndërkombëtare, e kanë mbështetur hartimin e Planit Zhvillimor të Kosovës, i cili do të kushtojë 2.4 milionë euro.

ECIKS / RTK