Riinvest: Swift-kodi serb sjellë pasoja negative për ekonominë

Prishtinë, 25 maj 2004- Isa Mustafa, ekspert i çështjeve ekonomike dhe nënkryetar i “Riinvestit”, duke komentuar vendimin e BPK-së që bankat në Kosovë të aplikojnë Suift kodin e Serbisë, thotë se ky vendim është i paqëndrueshëm, se do të ketë pasoja ekonomike dhe politike.
“Kjo çështje fare nuk është dashur të rregullohet në këtë formë, sepse në momentet kur po bëhet transferimi i kompetencave nga ndërkombëtarët, në vendorët, është e palogjikshme që pala ndërmkombëtare tek autoriteti bankar të marrë vendim të njëanshëm sa i përket aplikimit të sfifkodit të Serbisë”, tha Mustafa, i cili këto komente i bëri në një intervistë për radion “Evropa e lirë”.

Z. Mustafa pohon se ky vendim është i paqëndrueshëm, se do të ketë pasoja ekonomike dhe politike, dhe se rrjedhimisht ata që e kanë miratuar mbajnë përgjegjësi. Ai nënvizoi se nuk ka të drejtë askush që sistemin kosovar bankar ta fusë nëpërmjet instrumenteve të ndryshme në mekanizmin bankar të Serbisë.

Ky ekspert thekson se nëse pranohet suift kodi i Serbisë do të thotë se të gjitha pagesat hyjnë nëpërmjet sistemit bankar të Serbisë dhe të gjitha pagesat që bëhen në Kosovë, po ashtu bëhen nëpërmjet këtij sistemi, kështu që në një formë sistemi bankar i Serbisë do të vëjë në kontrollë të plotë sistemin bankar të Kosovës, gjë që një vendim i tillë është i papranushëm.

Mustafa nënvizoi se me këtë vendim të njëanshëm mund të ndodhë tërheqja e kursimeve nga ekonomia dhe qytetarët, ndërkaq një veprim i tillë do të destabilizonte totalisht sistemin bankar në Kosovë.

ECIKS / QiK