Ngjallen protestat kundër swift-kodit serb

Prishtinë, 25 maj 2004 – Në takimin e sotëm të përfaqësuesve të Shoqatës së Bankave dhe Sigurimeve me Autoritetin Bankar dhe të Pagesave të Kosovës dhe Odës Ekonomike të Kosovës u bisedua rreth iniciativës për avancimin e BPK-së në Bankë Qëndrore të Kosovës së cilës nuk i është mundësuar të ketë swift-in e vet.

Stafi vendor i BPK-së ka protuestuar edhe sot para ndërtesës së tyre kundër vendimit të udhëheqësit ndërkombëtarë që të përdoret swift-i i Serbisë dhe Malit të Zi, duke kërkuar që institucionet kosovare të ndërmarrin masa kundër përdorimit të swift kodit të Serbisë dhe Malit të Zi. Aktualiteti kosovar, gjendja e vështirësuar ekonomike, sfidat për sistemin bankar- financiar dhe rrjedhat e rrezikshme në tregun financiar të rajonit, që të gjitha imponojnë sjellje serioze dhe të përgjegjshme, tha drejtoresha e Shoqatës së Bankave dhe Sigurimeve të Kosovës, Zineta Daci. Ajo shtoi se duke u bazuar në Kornizën Kushtetuese, politikën ekonomike dhe financiare, çështjet buxhetore dhe fiskale, politikat monetare, emërimin e Bordit drejtues të autioritetit bankar dhe të pagesave të Kosovës, që janë të përshkruara si kompetenca dhe përgjegjësi të rezervuara për shefin e UNMIK-ut, propozojmë që: “kompetencat dhe përgjegjësitë e rezervuara për PSSP-në nga pika 8.1 dhe 8.1R, që politika monetare dhe emrimi i Bordit drejtues të autoritetit bankar dhe të pagesave të Kosovës të kalojnë në përgjegjësi të institucioneve të përkohëshme të vetëqeverisjes”.

Drejtori i Kassabankës, Milazim Abazi, i propozon Qeverisë së Kosovës që të ndërmarrë iniciativë për anulimin e vendimit të Bordit të BPK-së për përdorimin e swift kodit të Serbisë dhe Malit të Zi. ”Ekzistojnë të gjitha parakushtet që Qeveria e Kosovës të formojë një grup ekspertësh të cilët do të hartonin një projektligj për shndërrimin e BPK-së në Bankë Qendrore të Kosovës, sidomos tash kur po përballemi me një vendim personal në baza autokratikee ku tentohet që BPK-së t’i ulet niveli i saj apo të shndërrohet në një bankë operacionale, duke përdorur swift kodin e Serbisë dhe Malit të Zi, tha përfaqësuesi i BPK-së, Gani Gërguri. ”Edhe pse stafi ndërkombëtar jep arsyetime se kjo është çështje teknike, se kjo është për të mirën e sistemit bankar e kështu me radhë, prapa të gjitha këtyre atëherë del se në esencë fshihet një qëllim thjesht politik që të degradohet niveli i Autoritetit Bankar dhe të Pagesave dhe në vend që të shkojmë kah progresi që të shndërrohet në bankë qendrore tentohet të shndërrohet në nivelin e bankave komerciale“.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Ismajl Kastrati shtoi se: “Të gjithë pajtohemi që duhet të luftojmë për ndryshimin e aktit të kryer nga drejtori i BPK-së i cili në mënyrë të njëanshme e ka nënshkruar aktimin e swiftit nga Banka Qendrore e Serbisë, por gjithnjë po na ndodhë këtu në Kosovë, e jo veq në BPK po edhe tjetërkund, që ne të reagojmë pasi çështjet të ndodhin. Është fjala se si ne të jemi vigjilent dhe t’i përcjellim çështjet para se ato të ndodhin.”

Pjesëmarrësit e kësaj konferenca thanë se nëse përdoret swift kodi i Serbisë, BPK-ja do të mbetet filialë e Bankës Qëndrore të Serbisë. Ata formuan një grup punues i cili do të nxjerr rekomandime lidhur me këtë çështje dhe do t’ia paraqesë Institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.

ECIKS / RTKlive