Riinvest dhe AKB organizuan konferencë për prodhimet vendore

Prishtinë, 23 nëntor – “Riinvest” dhe Aleanca Kosovare e Biznesit si pjesë e projektit Java e biznesit në Kosovë organizuan tryezën e rrumbullakët me temën: “Si të zhvillohen dhe afirmohen prodhimet e Kosovës”. Qëllimi i kësaj tryeze sikurse edhe Java e biznesit është vetëdijësimi i institucioneve për krijimin e një ambienti më të favorshëm për zhvillimin e bizneseve te prodhuesit vendor.

“Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme kanë treguar vitalitet në periudhën e rindërtimit ekonomik të Kosovës. Edhe përkundër kësaj bizneset e vendit vazhdojnë të reflektojnë shqëtësime lidhur me ambientin afarist dhe investues në Kosovë”, ka thënë Muhamet Sadiku nënkryetar i “Riinvestit”.

Ndërkaq, Sefedin Sefa nga Ministria e Ekonomisë dhe Financave ka theksuar në këtë tryezë se vetëdijësimi i institucioneve për të përkrahur biznesin vendor po merr përmasa dhe përkrahje më të gjerë.

Aleanca Kosovare e Biznesit që nga themelimi i saj është angazhuar për përmirësimin e ambientit më të favorshëm ndërmarrës, thotë Agim Shahini, kryetar i Kuvendit të ABK-së.

ECIKS / QIK