Riaktivizohet miniera e nikel-silikatit në Bitinckë

Tiranë, 3 shkurt 2004 – Rreth 2 milionë USD do të investojë këtë vit kompania private shqiptaro-franceze “A & F”, Sh.a në minierën e nikel-silikatit në Bitinckë të rrethit të Korçës. Investimi që ka nisur të zbatohet, do të rrisë prodhimin e mineralit të nikel-silikatit deri në fund të vitit në 240 mijë tonë, bënë të ditur burime të ministrisë së Industrisë dhe Energjitikës. Gjatë vitit 2003, kjo kompani investoi rreth 1 milionë USD për blejren e makinerive dhe hapjen për shfrytëzim të minierës së nikel-silikatit në Bitinckë. Rreth 40 mijë tonë nikel-silikat nga miniera e Bitinckës në rrethin e Korçës u eksportua në uzinën e ferronikelit “Feni Industri” në Kavardac të Maqedonisë vitin që shkoi. Firma shqiptaro-amerikane “Adi” Sh.p.k morri në fillim të vitit 2002 me leje minerare 20-vjeçare shfrytëzimin e minierës së Bitinckës nga ministria e Industrisë dhe Energjitikës. Për shfrytëzimin e minierës së nikel-silikatit të Bitinckës “Adi” Sh.p.k krijoi “joint venture” me një kompani franceze, ku zotëron paketën e aksioneve me 51% të saj, nën emrin “A &F” Sha. Miniera e Bitinckës në rrethin e Korçës filloi nga puna në vitin 1981. Deri para viteve 90-të, në të prodhoheshin 50 deri në 150 mijë ton mineral në vit. Miniera u ruajt në konservim nga viti 1992 deri në 1998, kohë kur ju dha me leje minerare firmës greke “Larco”, e cila punoi vetëm 1 vit, prej nga përfitoi 50 mijë ton mineral, të cilin e përpunoi në uzinën e vet në Kostur. Më pas, kjo firmë u tërhoq nga vendi ynë .

ECIKS / BalkanWeb