Berlin, 2 shkurt 2004 – Sipas një të përditshmeje të re irakiane me emrin “Al Mada” Saddam Husseini e blente përkrahjen e tij politike në botë me falje apo shitje të naftës. Reagimet në listën e gjatë të botuar këto ditë së pari në Francë dhe mëpas edhe në vise dhe kryeqytete të tjera botërore janë habitëse dhe plot pezm. Nga Serbia si “bashkëpunëtorë” të Saddamit janë SPS-i serb i Milosheviqit, JUL-i i Mira Markoviqit dhe DSS-i i Vojislav Koshtunicës
Beqë Cufaj
“Al Mada” quhet një gazetë e re e cila në Irak ka filluar të botohet qe disa muaj, dhe kjo e përditshme me botimin e listës së disa dhjetëra politikanëve, shteteve e qeverive por edhe personaliteteve të njohura, të cilët kishin bashkëpunuar përmes dhënies falas të sasive të mëdha të naftës së papërpunuar, tashti janë zënë ngusht dhe duke kërkuar mënyra për të shpjeguar këto akuza të bëra ndaj tyre.
Ne këtë listë të gjatë me rreth 270 personalitete dhe organizata politike, figurojnë emrat e politikanëve, gazetarëve dhe të partive politike, të cilat kanë marrë miliona barela të naftës së Sadamit. „Al Mada“ ka arritur të sigurojë një pjesë të dokumenteve të ndërmarrjes shtetërore për komercializimin e naftës irakiane, në të cilat gjenden listat e emrave të personave dhe ndërmarrjeve, të cilët kishin gëzuar benificione në kuadër të marrëveshjes „naftë për ushqim“ dhe kështu edhe kishin gëzuar privilegje për sasi të madhe të naftës me vendimin personal të Saddam Husseinit. Përpos të dhënave teknike, në këto dokumente gjenden edhe emrat e personave, ndërmarrjeve, organizatave, njerëzve dhe partive politike, që nuk kanë asgjë të bëjnë me sektorin e naftës, në mesin e të cileve është edhe kisha ortodokse ruse.
Në listë figurojnë edhe emrat e djalit të ish-presidentit egjiptian Gamal Abdel Nasser, të një parlametareje jordaneze, të një gazetareje me ndikim nga Siria, të persidentes së Indonezisë, si dhe të birit të Ministrit të mbrojtjes së Sirisë.
Në tekstin në fjalë është bërë e ditur pokështu që pasi që regjimi i goditur irakian i Saddamit e kishte pranuar marrëveshjen „naftë për ushqim“, ai e kishte transformuar atë shumë shpejt në një dobi komerciale dhe lojë politike, e cila ia kishte lejuar atij financimin e armëve dhe të materialeve ndërtimore të destinuara për ndërtimin e pallateve luksoze. Përmes zbatimit të kësaj politike, regjimi i Sadamit me vetëdije të plotë kishte keqpërdorur dhe shpenzuar pasuritë shtetërore. Përmes kësaj praktike të korruptimit dhe të shpërndarjes së benificioneve nëpër botë, regjimi i siguronte vetvetes mbrojtjen, thyente embargon dhe u ikte sankcioneve ndërkombetare. Kështu embargoja nuk e dëmtonte më regjimin, por popullin e Irakut. Sa herë që sankcionet ashpërsoheshin, regjimi bënte se gjoja është i dëmtuar nga ato, mirëpo në realitet kjo nuk ishte e vërtetë.
Regjimi i izoluar i Saddamit kishte patur gjithnjë nevojë për perkrahjen e të tjerëve, për ta ndier veten të sigurt në pushtet. Përmes politikave të “liga” ai kishte arritur që edhe ta fitonte përkrahjen e popullit, duke e fajësuar gjithnjë embargon për situatën e rëndë. Kjo politikë ishte e suksesshme edhe falë vizitave të shumta të delegacioneve nga jashtë, të cilat paraqiteshin si përkrahje për pushtetin, e ne fakt nuk ishin gjë tjetër pos që ishin vizita me qëllim përfitimi për të dy palët- për Saddamin që ia shiste ato popullit të vet si “kontakte” me botën dhe për mysafirët të cilët me këtë rast përfitonin me dhe në naftë përmes emisarëve që tek Saddami dërgonin.
Ajo që është më interesantja në listën e gazetës “Al-Mada”, është që në të gjenden edhe personalitete dhe organizate politike të Serbisë dhe Beogradit. Tashmë dihet botërisht që Partia Socialiste e Milosheviqit por edhe partia e gruas së tij JUL-i “jugosllav” ishin bashkëpunëtorë të këtij regjimi. Mirëpo në listë pokështu si “risi” gjendet edhe Partia Demokratike e Serbisë (DSS) e cila kryesohet nga Vojislav Koshtunica. Gazeta irakiane ka bërë të ditur që SPS-i kishte marrë 22 milionë ton barelë naftë, partia e JUL kishte marrë 9,5 milion barelë si dhe Partia e Koshtunicës kishte marrë 6 milionë barelë naftë.
Tashmë dihet që qysh në vitin 2002, pra para luftës së Aleatëve kundër regjimit të Bagdadit, Koshtunica u desht të konfrontohej me akuzat që vinin nga perëndimi për kooperimin e këtij me Bagadin. Dhe atë në forma të ndryshme. Nga shitja e armëve Bagdadit e deri tek “blerja” apo “shkëmbimi” i këtyre armëve me naftën që nga Saddami merrej me çmim gadi falas. Deri më sot, në Serbi askush nuk ka shkuar prapa këtyre akuzave dhe tashti, me botimin më të ri të kësaj liste, duket që kjo punë nuk do të lihet krejt anash. Këshilli Qeverisës në Bagdad ka bërë të ditur që ka marrë vendimin t’i hetojë këto akuza të bëra nga e përditshmja bagdadase.
ECIKS / Koha Ditore