Rexhepi: Nuk do të rizgjedhem si kryeministër

Prishtinë, 5 nëntor 2004 – Kreu i Qeverisë së vendit, Bajram Rexhepi ka thënë të premten, pas takimit me shefin e UNMIK-ut, Soren Jesen Petersen, se nuk do të jetë kryeministër i ardhshëm i Kosovës, pasi që Partia Demokratike e Kosovës ka marrë vendim që kandidat për këtë post të jetë lideri i saj, Hashim Thaçi.

Një ndër kandidatët potencial për postin e kryeministrit është përmendur më herët edhe kreu aktual i qeverisë së vendit Bajram Rexhepi. Mirëpo, ky i fundit sot hoqi të gjitha dilemat dhe pranoi se nuk do të jetë kryeministër i ardhshëm i Kosovës, për arsye se PDK, në mbedhjen e djeshme të Kryesisë ka marrë vendim që kandidat për këtë post të jetë lideri i kësaj parite, Hashim Thaçi.

“Jo definitivisht, dje PDK në mbledhjen e Kryesisë ka marrë vendim që kandidati për postin e kryeministrit nga radhët e kësaj partie, të jetë Hashim Thaçi”, tha Bajram Rexhepi pas takimit.

Ai ka përkujtuar se në deklarimet e tija të mëhershme, të ketë thenë se nëse partia e propozon për postin e kryeministrit, atëherë ai do të ishte i gatshëm që të jetë sërish në këtë post. Përkitazi me vendimin e Kryesisë së PDK-së është që Hashim Thaçi, të jetë kandidat për postin e kryeministrit, Bajram Rehxepi tha se “unë do t’i përmbahem atij vendimi dhe nuk do të jemë sërish kryeministër”.

I pyetur nga gazetarët se kur pret ai formimin e Qeverisë së re të Kosovës, Rexhepi, pohoi se kjo do të varet nga gjuha e përbashkët që do ta gjejnë liderët e subjekteve politike.

ECIKS / Kosovapress