Paratë e VEFA u pastruan në Zvicër

Zürich, 6 nëntor 2004 – Në fund të vitit 1996, në aeroportin e Zyrihut u arrestua një person, i cili po vinte nga Tirana. Shkaku i këtij arrestimi ishte çanta plot me para, që ai kishte me vete. Gjatë pyetjeve të policisë zvicerane mbi prejardhjen e parave, i arrestuari kishte deklaruar se ato ishin të firmës piramidale të Vehbi Alimuçës, “Vefa Holding” dhe se po i sillte në Zvicër, për t’ia dorëzuar një firme. Më vonë, autoritetet zviceriane zbuluan se ishte fjala për një firmë të biznesmenit kosovar, Hajdin Sejdia. Sipas burimeve nga Gjykata e Zyrihut, këtë firmë dhe firma të tjera në Zvicër, për Hajdin Sejdinë i administronte një avokat zviceran. Të mërkurën, avokati 79 –vjeçar Von Planta ka dalë para gjyqit, i akuzuar se në vitin 1996 për Sejdinë ka pastruar 10,5 milionë franga, të dërguara në Zvicër nga piramidat shqiptare. Sipas gjyqtarit, akovati kishte bërë biznese në favor të Hajdinë Sejdisë, i cili nga ana e tij mbante lidhje me biznesmenin e dyshimtë nga Tirana, Vehbi Alimuçaj.

Vendimi

Të mërkurën, Gjyqi i Qarkut në Zyrih e shpalli fajtor avokatin e moshuar, Von Planta me akuzën e pastrimit të parave. Ai u dënua me dy vjet e gjysmë burg, pasi paratë e administruara prej tij kanë pasur prejardhje kriminale. Gjykata e shpalli fajtor avokatin, një ish-kolonel në ushtrinë e Zvicrës, për futjen në Zvicër të 10.5 milionë frangave nga një piramidë mashtruese financiare, e cila ishte ngritur në Shqipëri nga Vehbi Alimuça. Sipas gjykatës, për këtë gjë ka pasur mjaft të dhëna, ndaj edhe avokati zvicerian duhej të dyshonte.

Pastrimi i parave

Aktakuza kundër avokatit tregon mënyrën sesi janë pastruar në Zvicër, paratë e kreditorëve shqiptarë. Avokati, pasi merrte paratë nga Shqipëria, punonte si bankë private e Sejdisë. Ai i shpërndante paratë në 10 llogari të ndryshme në gjashtë banka në Zvicër. Më pas fillonte një tjetër shpërndarje e parave, nëpër shtatë banka të tjera. Sipas akt-akuzës, shpërndarja e dytë është bërë në 21 llogari të depozituara në shtatë banka të tjera në Zvicër. Kështu synohej të humbisnin gjurmët e prejardhjes së parave dhe të bëhej pastrimi i tyre. Sa herë që Hajdin Sejdisë i duheshin para, ai shkonte te avokati i tij dhe i merrte. Sipas të dhënave, të bëra publike në gjyqin e avokatit Von Planta, ky i fundit kishte tërhequr disa herë para për llogari të Sejdisë. Me paratë e kreditorëve të VEFA-s, avokati zvicerian ka blerë një vilë luksoze për 1,6 milionë franga, për Sejdinë. Mësohet se kjo vilë e konfiskuar, gjendet në Küsnacht afër Zyrihut, buzë liqenit; kjo pjesë nga zviceranët quhet “bregdeti i artë”. Avokati Von Planta u shpall fajtor jo vetëm për pastrim të parave, por edhe për shkeljen e ligjit për blerjen e pronave. Gjykata e Zyrihut ka vendosur që avokati i Sejdisë duhet të paguajë një gjobë prej 250 mijë frangash, 12 mijë për shpenzimet gjyqësore dhe gati 1,2 milionë franga për shitjen e vilës luksoze.

ECIKS / Shekulli