Polemikat lidhur me kryeministrin dhe presidentin e Kosovës nuk do t’i dekurajojnë investitorët në vendin më të ri të Ballkanit, ka thënë zëvendës-kryeministrja Mimoza Kusari-Lila për Reuters të mërkurën.
Ajo ka thënë që investitorët nuk do të përqendrohen në raportin e dhjetorit të Këshillit të Evropës mbi të Drejtat e Njeriut që e akuzoi Kryeministrin Thaçi për përfshirje në krimin e organizuar më 1999-2000.
“Ne duhet të prezantojmë fakte e jo të tregojmë përralla në lidhje me atë çka ka ndodhur 11 vite ose 12 vite më parë,” tha Kusari-Lila. “Një popull i tërë nuk mund të mbetet peng i një periudhë të historisë në të cilën ka qenë viktimë”. Kusari-Lila tha që nuk ka dëshmi që e mbështesin raportin e Martit.
Këto nuk janë problemet kryesore të Kosovës sa i përket imazhit të saj, insistoi ajo. Brenga kryesore e Kosovës është të dëshmoj që mund ta mbështes zhvillimin ekonomik si dhe të krijoj vende pune.
“Nëse dikush dëshiron të sjellë paragjykime dhe pengesa shtesë kundër integrimit dhe zhvillimit të Kosovës, atëherë po, mund të gjejnë arsyetime, por nuk mendoj që është një problem i vërtetë. Mendoj që problemi kryesor për Kosovën është të dëshmoj që ka politika, legjislacion dhe institucione që funksionojnë”, tha ajo.
Një pengesë e madhe ndaj investimeve është lëvizja e vogël e të mirave, njerëzve dhe parasë në mes Kosovës dhe Serbisë, tha Kusari-Lila, duke shtuar që shpreson se bisedimet teknike që janë nën vijim do t’i zbusin këto presione negative.
Përfundimisht, bizneset private do t’i marrin vendimet në bazë të gjendjes ekonomike të vendit, të mundësive që i shohin dhe të kualitetit të partnerëve biznesor, tha Kusari-Lila, e cila gjithashtu shërben si ministre e tregtisë dhe industrisë.
Asnjëra nga firmat amerikane të cilat biseduan me të në konferencën e Baltimorit nuk e pyetën atë për kryeministrin apo presidentin, përfundoi ajo për Reuters.
“Ata dëshironin të dinin më shumë për legjislacionin, për mundësitë e biznesit dhe atë çka qeveria mund ta bëjë për t’i ndihmuar atyre në mënyrë që të vijnë e të vendosën në Kosovë”.
Reuters / ECIKS