Raundi i 29-të i privatizimit

PRISHTINË, 12 DHJETOR – Tetë ndërmarrje shoqërore janë shitur për 4.177.308 milionë euro në valën 29-të të privatizimit, ndërsa tre ofertues kanë kaluar fazën e parë për privatizimin me spin-off special të dërmarrjes ‘Morava e Binçës’ në Gjilan.

Zëvendësdrejtori i AKM-së, Ahmet Shala, me rastin e hapjes së ofertave ka thënë se deri në shkurt të vitit 2008 pritet të fillojë procesi i likuidimit dhe paratë nga Fondi i Mirëbesimit për ndërmarrjet e shitura në këtë mënyrë do t’u kthehen pronarëve të ligjshëm. Sipas Shalës, mjetet që do të zhbllokohen janë ato që janë mbledhur nga likuidimi dhe do të bëhen edhe pagesat e para të 80- përqindëshit.

Shala ka bërë të ditur që në vitin 2007 gjithsej janë tenderuar 545 ndërmarrje të reja, ndërkaq janë nënshkruar 343 kontrata. Ai ka deklaruar se viti 2007 ishte një vit stabil për sa i përket privatizimit me gjithë problemet me kadastrën dhe mungesën e përkrahjes nga disa institucione të Kosovës.

Sipas tij, privatizimi në Kosovë ka pasur efekte pozitive. “Efektet e privatizimit janë ngritja e punësimit real prej 24- përqindësh dhe dhjetëfishimi i eksportit krahasuar me vitin 2003”, ka thënë ai.

Në anën tjetër ai ka pranuar që deri tani ka pasur ngecje në shpërndarjen e 20-përqindëshit duke thënë se në vitin 2008 Agjencia Kosovare e Mirëbesimit do të rrisë përpjekjet për përfundimin e këtij procesi. Ai ka bërë të ditur se deri më tani nga 20-përqindëshi janë shpërndarë 16 milionë euro dhe janë punësuar dymbëdhjetëmijë punëtorë. Shala ka shtuar se Komisioni Evropian është pajtuar që të financojë stafin e AKM-së edhe për disa vite në mënyrë që të mund të përfundohen proceset e filluara.

Ndërkaq Paul Acda, shef i Shtyllës së Katërt të UNMIK-ut, ka thënë që deri në dhjetor në fondin e privatizimit janë grumbulluar 388 milionë euro dhe për privatizimin e ndërmarrjeve shoqërore ka pasur nëntëdhjetëmijë ofertues. Ai dhe shefi i privatizimit në AKM Kirk Adams kanë vlerësuar që AKM-ja ka bërë një punë të mirë rreth privatizimit. Në këtë valë të privatizimit më së shtrenjti janë shitur tokat bujqësore në Varosh dhe në Komogllavë. Shuma totale e parave të grumbulluara në Fondin e Privatizimit është 4,1 milionë euro. Toka bujqësore në Varosh me sipërfaqe tokësore prej rreth 46 hektarësh, tri kilometra në jug të Ferizajt është shitur për 922,222 euro.

Toka bujqësore në Komogllavë me sipërfaqe tokësore përafërsisht 56 hektarësh, dhe largësi prej 5 kilometrash nga Ferizaj është shitur për 888,888 euro.

Ndërkaq Supermarketi ‘Urata’ Nr 5 me sipërfaqe prej 173 metrash katrorë në qendër të Prishtinës, përkatësisht në katin përdhes të ndërtesave për banim në sheshin ‘Zahir Pajaziti’ është shitur për 698 mijë euro. Mekanizmi në Ferizaj me sipërfaqe prej përafërsisht 3,311metrash katrorë është shitur për 205, 499 euro. “Bujqësia” në Drenoc me sipërfaqe prej 240 hektarësh është shitur për151, 700 euro.”Ndërtesa administrative dhe toka bujqësore Rakosh me sipërfaqe prej afro 73 hektarësh dhe ndërtesa administrative afër Istogut është shitur për 117,001 euro. Toka bujqësore në Prelez me 31 hektarë është shitur për 265 mijë euro dhe dyqani ‘Banana’ i Qyqavicës në Vushtrri me një sipërfaqe prej rreth 36 metrash katrorë është shitur për 20 mijë euro.

Për ndërmarrjen ‘Morava e Binçës’ e cila do të privatizohet me spin-off special tre ofertues e kanë edhe një raund të garës. Ofertuesi P63 ka ofruar çmimin prej 4.150.000 eurosh, investime prej 13.510.000 eurosh dhe punësim të 220 personave, P51ka ofruar çmimin prej 4.111.100 eurosh, investimet prej 13.432.500 eurosh dhe punësimin e 210 punëtorëve, ndërkaq P53 ka ofruar çmim prej 4.085.500 eurosh, 13.358.000 euro investime dhe punësim të 205 punëtorëve.

Marrë nga Koha Ditore