Raiffeisen e interesuar për Bankën e Kursimeve

Vjenë, 13 Dhjetor 2003 – Drejtues të bankës austriake “Raiffeisen Zentralbank” kanë deklaruar se do ta kthejnë Bankën e Kursimeve një nga bankat më të suksesshme të vendit, e cila krahas sigurisë që do të japë për klientët e saj, do të ndihmojë dhe në zhvillimin ekonomik të vendit. Drejtori i përgjithshëm i “Raiffeisen Zentralbank”, Herbert Stepic, ka deklaruar se kreditimi do të jetë pika më e fortë e bankës austriake në tenderin që do të zhvilohet për blerjen e BK-së. Ndërkohë, Stepic, ka deklaruar se invesitmet në Bankën e Kursimeve do të jenë hap pasi hapi, sipas nevojave. “Në rast se ne do të jemi fituesit e këtij tenderi, do t’i japim shanse të mëdha zhvillimit të ekonomisë vendëse, pasi ne kreditojmë ndërmarrje të mesme dhe korporata”, ka deklaruar Stepic. Sipas tij, kjo bankë do të mund të sjellë në Shqipëri dhe investorët e mëdhenj austriakë të cilët janë klientë të “Raiffeisen Zentralbank”. Blerja e Bankës së Kursimeve duket se do të jetë mundësia e vetme e vendit tonë për t’u përfshirë në rrejtin e bankës austriake.
“Shqipëria mungon në rrjetin tonë dhe ne prandaj kërkojmë që të blejmë Bankën e Kursimeve. Por në rast se nuk dalim fitues nga tenderi ne nuk do të kërkojmë licensën për të hapur degën tonë në Shqipëri dhe këtë ia kemi bërë të qartë dhe qeverisë shqiptare”, ka theksuar drejtori i përgjithshëm i bankës austriake. Grupi bankar austriak “Raiffeisen Zentralbank” e ka marrë emrin nga themeluesi i shoqatës së parë kooperative bankare në 1862 në Anhausen (Gjermani), Friedrich Wilhelm Raiffeisen. Gjatë më shumë se 140 viteve ky grup ka pasur një rritje të aktivitetit të tij dhe nuk ka njohur asnjëherë falimentim. Ndër blerjet më të suksesshme të tij janë; në vitin 2000 blerja e “Market Banka” në Bosnjë-Hercegovinë, në 2001 blerja e “HPB” dhe “Banka Agricola”, dhe në vitin 2002 blerja e “American Bank of Kosovo”. Ndërkohë, banka austriake “Raiffeisen” është e shtrirë gjerësisht në të gjithë Europën Qëndrore dhe ka në total rreth 1.7 milionë klientë. Ndërsa pasuria totale e rrjetit bankar të “Raiffeisen Zentralbank” ka arritur në 16.1 miliardë lekë duke u rritur nga viti në vit. Ndërkohë, kjo bankë e njohur për shërbimet e saj dhe për suksesin që ka arritur në tregun bankar, gjatë këtij viti ka fituar 15 çmime ndërkombëtare, duke u cilësuar si “Banka më e mirë e vitit”, në ato vende ku ajo është shtrirë. Sot Raiffeisen zë 25.5 për qind të tregut bankar austriak, zotëron 28.2 për qind të depozitave, 22.1 për qind të kredive dhe 28.9 për qind të fondeve të menaxhuara të këtij tregu. Rreth 41 për qind të austriakëve mbi 15 vjeç janë klientë të kësaj banke. “Raiffeisen Zentralbank” ofron shërbime për individët dhe kompanitë në shume shtete të Rajonit. Strategjia e “Raiffeisen Zentralbank” për Europën Qendrore dhe Lindore është afrimi i shpejtë i këtyre dy zonave, joshja e klientëve lokalë, korporatave dhe klientëve bankarë duke i paraqitur produktet e ofruara nga banka austriake. Kjo bankë është nismëtare që qëndron për kualitetin dhe ka një reputacion të shkëlqyeshëm.
“Raiffeisen Zentralbank” sjell njohuri, teknologji dhe përgatit bazën për investitorët e huaj. Në të njëjtën kohë, kjo bankë ka një përkushtim afatgjatë në Evropën Qendrore dhe Lindore dhe përcjell politikën për të investuar fitimet në vendin e origjinës.

ECIKS / BalkanWeb