BE: Bllokimi i privatizimit s'ka të bëjë me statusin

BRUKSEL, 12 Dhjetor 2003 – Drejtori i përgjithshëm për Çështje të Jashtme të Bashkimit Evropian Robert Kuper, që punon për përfaqësuesin e lartë të BE-së, Havier Solana, i deklaroi radios “Ëvropa e Lirë” se tani do të ketë standarde shumë më të qarta dhe mendon se në këtë mënyrë po ndihmohet populli i Kosovës që t’i plotësojë këto standarde.

I pyetur për bllokimin e procesit të privatizimit në Kosovë, Robert Kuper thotë se kjo gjë nuk ka të bëjë me presione nga Serbia dhe nuk është e lidhur me statusin përfundimtar të Kosovës. Ai nënvizoi se Kosova është në Evropë dhe e dyta është që Evropa është në Kosovë.

“Kosova është në Evropë gjeografikisht dhe ne angazhohemi që Kosova të jetë në Evropë në të gjitha aspektet: politikisht, ekonomikisht dhe që shoqëria në Kosovë t’i plotësojë standardet e një shoqërie normale evropiane. Pra kjo në thelb është një politikë evropiane, është një politikë për të ardhmen e Evropës… Mendoj se 80 për qind e ushtarëve të KFOR-it janë evropianë dhe Evropa ka kontribuar shumë në administratën e UNMIK-ut nëpërmjet shtyllës ekonomike. Pra, jemi thellësisht të përfshirë në Kosovë dhe jemi të lidhur me të ardhmen”, tha ndër të tjera ky diplomat i BE-së, duke shtuar se Kosova në një të ardhme do të mund të bëhet pjesë e BE-së.

ECIKS / QIK