“Raiffeisen Bank” blen ndërtesë të re në Prishtinë

“Raiffeisen Bank” dhe “ENK Invest Group” kanë nënshkruar marrëveshjen për blerjen e zyrës qendrore të “Raiffeisen” në Prishtinë. Bordi i “Raiffeisen Bank International” (RBI) ka aprovuar blerjen e kësaj ndërtese të re në kompleksin e “ENK Invest Group”, e cila do të shfrytëzohet si zyrë qendrore e “Raiffeisen Bank” në Kosovë.

“Vendimi për blerjen e zyrës qendrore tregon edhe një herë përkushtimin e “Raiffeisen Bank International” ndaj Kosovës dhe kjo do ta forcojë edhe më tutje rolin e “Raiffeisen Bank” në zhvillimin e bizneseve lokaleve dhe ekonomisë në përgjithësi”, ka thënë Robert Wright, drejtor ekzekutiv i “Raiffeisen Bank” në Kosovë.

“Jam shumë i kënaqur që ‘Raiffeisen Bank’ në Kosovë do të jetë njëri nga investitorët që do ta kenë zyrën qendrore në kompleksin e ENK-së. Kjo konfirmon se Kosova vazhdon të jetë njëra ndër vendet më atraktive në rajon sa u përket investimeve”, tha Edmond Kërliu, drejtor ekzekutiv i “ENK Invest Group”. Aktualisht punonjësit e zyrës qendrore të “Raiffeisen Bank” janë të ndarë në katër ndërtesa në Prishtinë.

“Ndërtesa e re do të krijojë një ambient pune më të përshtatshëm dhe më efektiv. Në pajtim me strategjinë e bankës për të qenë punëdhënësi më i mirë në Kosovë, ndërtesa e re do të mundësojë ofrimin e kushteve më të mira të punës si dhe hapësirë të mjaftueshme edhe për shërbimet tjera për punonjësit siç janë restoranti dhe çerdhja për fëmijë”, kanë thënë zyrtarët e Raiffeisen Bank.

/ Koha /