Qeveria merr kompetencat e parezervuara nga UNMIK-u

Prishtinë, 31 dhjetor 2003 – Gati të gjitha fushat e Kapitullit Pesë të Kornizës Kushtetuese, prej dje janë në përgjegjësitë e qeverisë së Kosovës.

Disa përgjegjësi të këtij kapitulli nuk janë transferuar ende për shkak të mungesës së ligjeve përkatëse, thanë zyrtarë të UNMIK-ut dhe Qeverisë së Kosovës, pasi publikuan dokumentin me të cilin është bërë transferimi i përgjegjësive. Zëdhënësja e qeverisë, Mimoza Kusari tha se Qeveria shpreson të ketë pjesëmarrje kuptimplotë dhe partneritet edhe në përgjegjësitë e rezervuara.

Sipas dokumentit të publikuar sot qeveria do të ketë përgjegjësi në fushën e zhvillimit rural, mbrojtjen dhe prodhimin e bimëve dhe të shtazëve, promovimin e turizmit e hartimin e projekteve edukative. Por, nuk do të ketë përgjegjësi në udhëheqjen e Komisionit të Pavarur të Mediave dhe në çështjen e buxhetit pasi në këto fusha mungon baza ligjore.

Zëdhënësja Mimoza Kusari tha se me përgjegjësitë e transferuara sot Qeveria do të japë kontribut me të madh në përmbyshjen e obligimeve ndaj qytetarëve të Kosovës.

ECIKS / Balkanweb