Ekspertët parashikojnë thellimin e krizës ekonomike në Kosovë

PRISHTINË, 03 Janar 2004 – Një ndër problemet më të vështira me të cilat Kosova u ballafaqua edhe në vitin që po e lëmë pas është papunësia e madhe e popullatës kosovare, në veçanti e rinisë. Statistikat dëshmojnë për faktin se Kosova , me vetëm 47.000 të punësuar, apo me një të punësuar në çdo të katërtin banorë dhe atë në një paraekonomi shërbyese dhe me një nismë të ekonomisë familijare apo, siç quhet, ekonomi e vogël, është vendi me shkallën më të lartë të papunësisë në Evropë.

Aktualisht në Kosovë konsiderohet se afro 60 – 70 për qind e banorëve të aftë për punë janë të papunësuar, e disa madje thonë se kjo shkallë e tanishme e të papunëve është edhe më e lartë. Rezultatet e hulumtimeve më të reja në fushën e papunësisë të realizuara nga institucionet ndërkombëtare në bashkëpunim me Entin e Statistikave të Kosovës, dëshmojnmë për shifra flagrante të të papunëve në Kosovë. Sipas tyre rezulton se shkalla e papunësisë në Kosovë arrin madje shifren prej 57 për qind. Kosova pra, në mënyrë të padiskutueshme është vendi më shkallën më të lartë të papunësisë në Evropë. Mirëpo, analistët dhe hulumtuesit e kësaj lëmie ekonomike e sociale, shprehin brengen e tyre se këto trende të pavolitshme vështirë se do të ndalen. Në fakt, as Qeveria por as Kuvendi i Kosovës nuk kanë ndonjë plan, ndonjë strategji afatshkurtë për të dalë nga kjo situatë tejet e pavolitshme.

Sipas një hulumtimi të realizuar nga Instituti “Riinvest” me seli në Prishtinë, del se në Kosovë aktualisht konsiderohet se nga numri i përgjithshëm i banorëve, të aftë për punë janë 59 për qind. Nisur nga këto trende, jashtëzakonisht të pavolitshme për ekononimë e Kosovës, mund të vlerësohet se ndër problemet më të rënda me të cilat do të ballafaqohen Parlamenti dhe Qeveria kosovare është pikërisht ai se si do të sigurohet mbijetesa sociale e popullatës. Pra, pyetja e vështirë mbetet, si dhe prej nga do të ndahen mjetet, për 105 mijë pensionistë, invalidët e luftës, fëmijët bonjakë, familjet e dëshmorëve, përkatësisht si do të mbahen ato familje të cilat në vitin vijues ende nuk do të kenë mundësi të kenë dikë i cili do të realizojë të ardhura nga puna e vetë.

ECIKS / Deutsche Welle