Qeveria ka mundësi të shpejtojë ndërtimin e autostradës

PRISHTINË, 15 shkurt 2007- Shtyrja e fillimit të punëve rreth pjesës kosovare të autostradës Prishtinë – Durrës nga Ministria e Transportit arsyetohet me mosmiratimin e ligjeve të duhura, por burime të gazetës thonë se Qeveria në rastin e autostradës ka mundur të veprojë njëjtë si me Haden, ta shpallë zonë me interes të veçantë. Projekti më i madh rrugor që ka pasur Kosova ndonjëherë, autostrada Prishtinë – Durrës, ka nisur gati pesë vjet më parë, por ka mbetur peng i mosmiratimit të disa ligjeve, siç është ai për shpronësimin e proave dhe ai mbi shpalljen e zonave të interesit. Kështu së paku arsyetohen zyrtarët e Ministrisë së Transportit dhe Postë- Telekomunikacionit (MTPT), të cilët thonë se “patjetër duhet pritur miratimin e këtyre ligjeve”.

Burime të “Kohës Ditore” bëjnë të ditur se MTPT-ja ka mundur që ta shpallë kaherë vendndërtimin e autostradës si zonë të interesit, ashtu siç ka ndodhur me rastin e Hades. Ndërkohë që hezitimi për ta shpallur këtë zonë interesi ka ndikuar që në këtë zonë të intensifikohen ndërtimet pa leje. “Jo nuk kemi mundur ta bëjmë këtë. Rasti i Hades ka qenë i veçantë”, është arsyetuar Shefki Ukaj, këshilltar politik dhe zëdhënës në Ministrinë e Transportit. Megjithatë, zyrtarët e MTPT-së deklarohen se “shpresojnë se guri i themelit kësaj autostrade do t’i vihet gjatë këtij viti”.

Në anën tjetër, Ukaj pohon se shumë shpejt do të shpallet tenderi për identifikimin e pronës, e cila i hap rrugë eksproprijimit të tokave nga do të kalojë autostrada. Ai bën të ditur se autostrada do të ketë 116,52 kilometra dhe do të prekë dy pika kufitare, do të ketë nëntë kyçje, 105 ura dhe 3 tunele me më pak se 5 kilometra. Kjo autostradë do të jetë pjesë e rrjetit rrugor të Evropës Juglindore dhe njihet si rruga 7, e cila do të lidhë Kosovën me pjesët e tjera të Ballkanit Jugor. Nga jugu me portin e Durrësit në Shqipëri, e njohur si korridori 8 dhe nga veriu me Nishin, përkatësisht me korridorin 10, si korridor panevropian.

Zyrtarët e MTPT-së vlerësojnë se me rritjen e kapaciteteve të portit të Durrësit, korridoret do të kenë potencial për lidhje ekonomike të vendeve të Ballkanit Jugor me detin Adriatik dhe vendet e Mediteranit. Për Kosovën krijimi i korridorit ka një potencial të rritjes ekonomike së bashku me vendet e tjera të Ballkanit dhe BE-së, thonë në MTPT. Zëdhënësi i kësaj ministrie deklaron se Fondacioni i Bashkimit Evropian pritet të ndajë për këtë projekt, i cili konsiderohet si nacional dhe rajonal, 120 mijë euro. Ndërkohë që autostrada Prishtinë – Durrës, nëpërmjet Vërmicës do të lidhë Zhurin, Prizrenin, Suharekën, Duhlën, Carralevën, Shtimen, Lipjanin, Prishtinën, Podujevën e deri në Merdar, në pikën kufitare Kosovë – Serbi.

“Kjo autostradë lidh Kosovën me rrjetin ndërkombëtar të infrastrukturës rrugore dhe me rrjetin rajonal, sipas standardeve ndërkombëtare”, deklaron Ukaj. Ai pohon se kompania daneze COËI tashmë ka përfunduar fizibilitetin e trasesë nga kalon autostrada dhe se ky studim kishte për qëllim të joshte investimet e mundshme në të ardhmen, nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe të organizmave të tjera financiare ndërkombëtare. Ndërsa, sipas tij, paralelisht me studimin për arsyeshmërinë ekonomike janë kryer edhe punët teknike në shqyrtimet gjeomekanike të pronave të trasesë, ku janë objektet në rrugë, projektimi i urave, mbikalimeve-urave në trase, mureve mbrojtëse, tombinave etje, analizave sizmike. Sipas tij, meqë buxheti i Kosovës është shumë i limituar, sipas të gjitha gjasave ndërtimi i autostratës Prishtinë-Durrës do t’u jepet me koncesion atyre investitorëve që ofrojnë kushte më të mira. “Nëse të gjitha punët shkojnë ashtu sic janë planifikuar besojmë se në muajin gushtshtator do t’i vihet gurthemeli kësaj autostrade”, thotë ai, duke rikujtuar se projekti është hartuar, identifikimi dhe shpronësimi i pronave është në proces, ndërsa problem kryesor mbeten financat.

ECIKS / Marrë nga Koha Ditore