PRISHTINË, 15 shkurt 2007- Brenda katër muajve qytetarët e Kosovës do të kenë në dorë numrat e rinj të operatorit të dytë të telefonisë mobile, ka deklaruar drejtori i kompanisë “Kujtesa”, Arbër Arifi, kompania e të cilit është një nga partnerët kryesorë të konsorciumit “Kosmocell”, fitues të tenderit për operator të dytë të telefonisë mobile në Kosovë.
Arifi ka thënë se të gjitha shërbimet që do të ofrohen do të jenë 25 për qind më të lira se operatori aktual “Vala”. “Pas përfundimit të fazës gjatë së cilës kompanitë kanë të drejtë që të parashtrojnë ankesa, që zgjat një muaj dhe pasi ta bëjmë pagesën për licencë dy javë, do të nisim menjëherë me punët në fazën zero”, ka thënë Arifi duke shtuar se ata kanë paraparë që ajo të përfundojë për katër muaj. Pas fazës së parë të implementimit të rrjetit, apo fazës zero, e cila ka për objektiv mbulimin e Prishtinës dhe Aeroportit me rrjet të telefonisë mobile, me përfundimin e asaj faze do të lëshohen në përdorim edhe numrat e parë të telefonit.
Në krahasim me operatorin “Vala”, “Kosmocell” premton se do të zgjerojë pakon e shërbimeve për konsumatorët deri në pagesa përmes telefonit. “Nuk do të jetë thjesht një aparat me të cilin mund të bisedohet, por do të ofrojmë shërbime të tjera si kryerjen e pagesave të ndryshme me telefon”, premton Arifi. Sipas tij motoja e suksesit të një produrti është gjithmonë kompromisi në çmim dhe kualiteti më i mirë, kështu që fillimisht shërbimet e “Kosomocellit” do të jenë 25 për qind më të lira se ato të “Valës”. “Kujtesa” dhe kompania “Dukagjini” e Ekrem Llukës, janë pronare të 50 për qind të aksioneve të konsorciumit, me nga 25 për qind secila, që u jep përparësi ndaj partnerëve tjerë sa i përket menaxhmentit. “Një ndër pikat më të forta të konsorciumit tonë është se menaxhmenti do të jetë kosovarë, në krahasim me konsorciumet tjera ku ana kosovare ka qenë pakicë, vetëm sa për t’I marrë 20 për qind të pikëve të tenderit”, thekson Arifi. Ai pohon se partnerët tjerë të këtij konsorciumi, “Eutelia”, nga Italia, “Capital Management” kompani italiano amerikane, “CSC”, nga Amerikane dhe “OMNI” po ashtu operator nga Amerika, të gjitha së bashku kanë në pronësi 50 për qind të aksioneve. Gjithashtu Arifi thekson se përparësi tjetër e këtij konsorciumi është se rrjeti i kompanisë “Kujtesa” mbulon 85 për qind të territorit kosovar, i cili do të shfrytëzohet edhe për telefoninë mobile.
Sa i përket prefiksit që do të shfrytëzohet nga “Kosmocell”, bëhet e ditur se deri në implementimin e licencës për operatorin e dytë, Kosova do të arrijë të sigurojë prefiksin e vet, mirëpo nëse deri në atë kohë nuk sigurohet prefiksi kosovar atëherë “Kosmocell” do të shfrytëzojë prefiksin e partnerit Italian “Eutelia”.
ECIKS / Marrë nga Koha Ditore