Qeveria e Kosovës transferon aeroportin tek LKIA

Më 7 shkurt 2011 filloi procesi i ekzekutimit të marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Limak Kosovo International Airport JSC (LKIA), që nënkupton transferimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës – Adem Jashari (ANP-AJ) tek LKIA e menaxhuar nga konzorciumi turko-francez Limak-Aeroports de Lyon. Partneri privat në bazë të kushteve të Marrëveshjes ka kërkuar që afati të zgjatet për 30 ditë.

Këtij procesi i ka paraprirë përmbushja e një numri të konsiderueshëm parakushtesh, e ndër to sigurimi i financimit nga LKIA, miratimi i dizajneve për terminalin e aeroportit, etj.

Limak-Aeroports de Lyon i është dhënë kontrata më 12 gusht, 2010 pasi që i ka ofruar Qeverisë së Kosovës një mesatare prej 39,42 për qind të të ardhurave bruto në këmbim me të drejtën për operim.

Prej konzorciumit Limal-Aeroports de Lyon kërkohet që të bëjë investime për të modernizuar dhe zgjeruar ANP-AJ, duke investuar mbi 100 milionë euro në infrastrukturë të re, përfshirë edhe ndërtimin e një terminali të ri. Gjithashtu nga partneri privat kërkohet të operojë me Aeroportin duke ofruar shërbime të zgjeruara në nivel të cilësisë së lartë. Republika e Kosovës do të mbajë 100 për qind të pronësisë së pasurive të Aeroportit.

Mediat kosovare kanë raportuar së fundi se LKIA e ka lënë aeroportin hipotekë në një kredi që e ka marrë nga banka turke “Vakifbank”. Kjo do të ishte në kundërshtim me Ligjin për Ndërmarrjet Publike.

Ky transferim është rezultat i nismës së Qeverisë së Kosovës për t’i përmirësuar ndërmarrjet publike duke i vënë ato nën menaxhimin e kompanive private.

ECIKS