Qeveria e Kosovës aprovoi dy projektligje për tatime

Prishtinë, 6 maj 2004 – Dje është mbajtur mbledhja e rregullt e Qeverisë së Kosovës, në të cilën përpos tjerash janë aprovuar edhe dy projektligje për tatim. Në fjalën hyrëse, kryeministri Bajram Rexhepi ka njoftuar ministrat e Qeverisë së Kosovës për takimin e radhës të Mekanizmit Përcjellës të Stabilizim Asociimit, që ka qenë e planifikuar të mbahet në fund të marsit, por për arsye të trazirave është shtyrë, dhe do të mbahet me 13-14 maj. Në takim do të bisedohet kryesisht për çështjet që kanë të bëjnë me sektorin e bujqësisë, thuhet në kumtesën e Zyrës për Informim të Kryeministrisë.

Qeveria e ka shtyrë për mbledhjen e ardhshme aprovimin e Projektligjit për Komisionin e Pavarur të Mediave, ndërsa ka aprovuar dhe ka vendosur t’i përcjell në parlament Projektligjin për Tatimin në të Ardhurat Personale dhe Projektligjin për Tatimin në Fitim.

Në mbledhjen e sotme është aprovuar edhe Udhëzimi Administrativ për Pagesën e Stafit Politik të Komunave që rregullon çështjen e të ardhurave personale të kryetarëve, zëvendëskryetarëve dhe anëtarve të asambleve komunale.

ECIKS