Qeveria do të marrë kompetencat në ekonomi

Prishtinë – Vonesa e bartjes së kompetencave në fushën e ekonomisë nga UNMIK-u te Qeveria e Kosovës, vetëm sa do të bllokojë zhvillimin ekonomik të vendit dhe do të rrisë shkallën e korrupsionit dhe papunësinë, thonë ekspertë të ekonomisë. Ndërkaq, zyrtarë të Qeverisë së Kosovës pohojnë se faza e transicionit sapo ka filluar, ndonëse jo zyrtarisht, dhe se shumë shpejt do të vihen në kompetenca të kosovarëve të gjitha subjektet që kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik. Zëdhënësi i Qeverisë, Hajredin Kuqi, thekson se kohën e fundit UNMIK-u nuk është në pozitë udhëheqëse siç ka qenë më parë, por janë duke i koordinuar punët së bashku me të gjitha institucionet ndërkombëtare që të përshpejtohet faza e transicionit.

“Është e vërtetë se me UNMIK-un nuk është gjendja siç ka qenë më parë, por qëllimi ynë është që të koordinojmë punën me të gjitha institucionet. Ne i kemi synimet tona që të përshpejtojmë fazën e transicionit dhe tejkalimin e disa pengesave shumë shpejt”, ka pohuar Kuqi. Sipas tij, qëllim i legjislativit kosovar është që të vërë nën kontroll ndërmarrjet publike, për të cilat kohëve të fundit numri një i Qeverisë së Kosovës ka pohuar se janë kampione të korrupsionit dhe të keqmenaxhimit.

Musa Limani, profesor në Universitetin e Prishtinës, thekson se Shtylla IV e UNMIK-ut, përgjegjëse për zhvillimin ekonomik në Kosovë me politikën makroekonomike që ka zhvilluar, nuk ka qenë produktive, dhe kjo gjë është parë qartë sidomos në procesin e privatizimit. “Procesi i privatizimit, siç është kryer te ne nuk ka dhënë efektet e pritura. UNMIK-u nuk ka kontribuar në zhvillimin ekonomik, por ka dështuar sidomos në procesin e privatizimit, me ç’rast shumë ndërmarrje shoqërore, janë bërë burim i korrupsionit, rritjes së armatës së të papunëve dhe shkatërrimit të ekonomisë”, ka thënë Limani.

Sipas tij, Qeveria hapin e parë që duhet ta bëjë sipas Pakos së Ahtisarit, duhet që sa më shpejt të marrë në duar hartimin e politikave makroekonomike dhe zhvillimin ekonomik të vendit. Në anën tjetër, Russell Geekie, zyrtar për informim në UNMIK, thekson se ky institucion do të vazhdojë të jetë organ ekzekutiv në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit. Ai thotë se transicioni që parashihet Pakon e Ahtisarit, është baza të cilën e përdor Bashkimi Evropian për pozicionimin e vet, duke shtuar se UNMIK-u do të përcjellë me vëmendje këto ndryshime dhe se do të veprojë në kohë të duhur. Sa i përket transferimit të kompetencave në fushën e ekonomisë, ai thotë se është e rëndësishme që kjo të bëhet në kohën e përshtatshme, derisa shumica e kompetencave tashmë janë bartur tek institucionet e Kosovës.

“Zhvillimi ekonomik ndikohet nga shumë faktorë. Mendoj se është më rëndësi që çdo transferim i kompetencave të bëhet në kohë të duhur dhe, siç e dini, deri tani janë bartur shumica e përgjegjësive tek institucionet kosovare”, ka pohuar Geekie.

Në vendimin e Bashkimit Evropian për dërgimin e misionit EULEX në Kosovë, thuhet se ky mision do të jetë operacional vetëm pas një periudhe të paraparë të transicionit prej rreth 120 ditësh, gjatë së cilës UNMIK-u do të bartë pushtetin e tij tek institucionet e Kosovës dhe gjatës së cilës kohë ndërtohet misioni EULEX për të qenë i gatshëm t’i mbështesë autoritetet e Kosovës në përpjekjet e tyre për ndërtimin e një sistemi të qëndrueshëm dhe funksional të sundimit të ligjit. Gjatë kësaj periudhe, UNMIK-u mban përgjegjësitë e plota operacionale dhe se EULEX-i nuk do ta zëvendësojë UNMIK-un, por trashëgimtarë të UNMIK-ut do të jenë institucionet e Kosovës.

Marrur nga Koha Ditore