Qeveria do ta diskutojë në detaje draftin e buxhetit

Prishtinë, 19 janar 2004 – Zëdhënësi Arben Çirezi, ka deklaruar të mërkurën pas mbledhjes së kabinetit qeveritar se “Qeveria do ta diskutojë në detaje buxhetin final, vetëm pasi Ministria e financave, kryeministri, UNMIK-ut dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar t’i shqyrtojnë çështjet e mbetura”. Çirezi ka njoftuar se ministrat kanë debatuar edhe rreth Planit për Implementimin e Partneritetit Evropian i cili pritet të aprovohet në njërën nga mbledhjet e ardhshme.

Qeveria po punon intenzivisht në përmbushjen e standardeve dhe në procesin e reformimit të pushtetit lokal, si parakushte të caktuara nga bashkësia ndërkombëtare. Mekanizmat e bashkësisë ndërkombëtare si Grupi i Kontaktit, tashmë e kanë bërë të qartë se Beogradi nuk do të ketë të drejtën e “vetos” në procesin e definimit të statusit politik të Kosovës. Kështu u përgjigj zëdhënësi i qeverisë, Arben Çirezi, lidhur me një deklaratë tashmë të konfirmuar të kryeadministratorit Petersen, se Beogradi do të jetë partner në procesin e definimit të statusit politik të Kosovës.

“Instancat më të larta ndërkombëtare siç është Grupi i Kontaktit, por edhe qendrat tjera të vendosjes kanë thënë se Serbia nuk do të ketë të drejtë të “vetos” në përcaktimin e statusit të Kosovës dhe në çështje tjera për Kosovën”, ka sqaruar Çirezi.Kurse sa i përket çështjeve të diskutuara në mbledhjen e kabinetit qeveritar, ai veçoi atë të projektbuxhetit. Fondi Monetar Ndërkombëtar i ka prezentuar vrojtimet në lidhje me procesin e buxhetit, kurse ministria e financave, rrugët përmes të cilave qeveria mund ta sigurojë qëndrueshmëri të buxhetit.“

“Qeveria e Kosovës do ta diskutojë në detaje draft buxhetin, vetëm pasi ministria e financave, kryeministri, UNMIK-u dhe FMN-ja t’i shqyrtojnë çështjet e mbetura gjatë kësaj jave”, ka theksuar zëdhënësi Çirezi.

Çirezi u përgjigj edhe në lidhje me zbatueshmërinë e Kontratës Kolektive, duke e lidhur këtë çështje me buxhetin.“Në kuadër të shqyrtimit të procesit buxhetor qeveria do të dalë me një zgjidhje për pjesët e Kontratës Kolektive që mund të zbatohen gjatë këtij viti”, tha Çirezi.

Ai bëri të ditur po ashtu se ka përfunduar procesi i vlerësimit rresht për rresht të standardeve dhe së shpejti pritet të bëhet publik raporti mbi vlerësimin teknik nga ana e UNMIK-ut. Ky vlerësim do t’i paraprijë vlerësimit politik që bëhet në Këshillin e Sigurimit në Nju Jork.

ECIKS / RTK