Prishtinë, 01 korrik 2004 – Qeveria ka diskutuar dje për procesin e zgjedhjes së operatorit të dytë të telefonisë mobile, por nuk ka dalë me ndonjë qëndrim konkret. “Kabineti i ministrave ra dakord të presë rezultatet e hulumtimit të procedurës”, tha zëdhënësja Mimoza Kusari në konferencën me gazetarë. Ajo bëri të ditur ndërkaq, se qeveria ka miratuar sot edhe shumën prej 3.7 milionë eurosh për rindërtimin e objekteve të kultit. Çështja më e diskutuar e ditëve të fundit, ajo e operatorit të dytë të telefonisë mobile në Kosovë, ka qenë sot tema kryesore edhe në mbledhjen e qeverisë. Megjithë diskutimet, kabineti i ministrave nuk ka marrë ndonjë qëndrim konkret, duke u pajtuar që të priten rezultatet e hulumtimit të procedurës së zgjedhjes. Sidoqoftë, zëdhënësja Mimoza Kusari tha se është konstatuar si lëshim i Autoritetit Rregullator të Telekomunikacionit, shpallja e hyrjes në fuqi të vendimit, pasi për këtë, ligji parashikon afatin prej 30 ditësh. Në mbledhjen e sotme qeveria ka diskutuar sërish edhe për procesin e rindërtimit. Sipas ministrit Bexhet Brajshori, procesi ndodhet në fazën më të mirë të implementimit, përveç pjesës së nën Kalasë në Prizren, e cila sipas tij, kërkon trajtim të veçantë. Qeveria sot e ka shqyrtuar edhe Raportin e Komisionit për Personat e pagjetur. Ragip Zekolli, kryetar i Komisionit, i ka njoftuar ministrat me problemet që e rëndojnë punën e tij, duke i veçuar; procedurat e kthimit të kufomave nga Serbia, problemet financiare, si dhe ato të koordinimit me Zyren e UNMIK-ut për persona të zhdukur.
ECIKS / Balkanweb