Brajshou pezullon vendimin e ART-së

Prishtinë, 01 korrik 2004 – Ushtruesi i detyrës së shefit të UNMIK-ut, Çarls Brajshou, ka kërkuar mbrëmë nga drejtuesi i Autoritetit Rregullator të Telekomunikacionit, Anton Berisha, që të pezullojë vendimin me të cilën kompania Mobikos është shpallur fituese e tenderit për operatorin e dytë të telefonisë mobile në Kosovë. Këtë e ka konfirmuar zëdhënësja e UNMIKI-ut Metilde Heneke. “Ushtruesi i detyrës i shefit të UNMIK-ut Çarls Brajshou i ka dërguar një letër drejtuesit të ART-së Anton Berisha, duke kërkuar nga ai që të suspendojë të gjitha vendimet lidhur me këtë çështje”, tha zëdhënësja Heneke. Kjo kërkesë ka ardhur pas kundërshtimit të pardjeshëm të këtij vendimi nga kryeministri i Kosovës Bajram Rexhepi dhe Zyra Amerikane. Ndërkaq, drejtuesit e ART-së që kanë vendosur për këtë tender janë ankuar për presione të ndryshme politike. Anton Berisha ka kundërshtuar reagimet e Zyrës amerikane dhe të kryeministrit Rexhepi, duke thënë se ART ka marrë vendimin në pajtim me kompetencat që i ka.

ECIKS / QIK