Punëtori i doganave i shkruan Ananit; përjashtohet nga puna

Prishtinë, 06 shkurt 2004 – Sipas Shërbimit Doganor të Kosovës, Bedri Shabani, është larguar nga puna me arsyetim se ka dhënë deklaratë të pa-autorizuar për një televizion francez, si dhe ka dërguar një letër sekretarit të përgjithshëm të OKB, Kofi Ananit me të cilën akuzon Shërbimin Doganor, që bie ndesh me Kodin e Mirësjelljes së Shërbimit Doganor të UNMIK-ut dhe udhëzimet e lëshuara nga drejtori gjeneral, shkruan në vendimin për largim nga puna të Bedri Shabanit, të nënshkruar nga zëvendës drejtori gjeneral, Jonathan Amos.

Mirëpo, z. Bedri Shabani mohon të ketë dhënë intervistë për ndonjë televizion francez, kurse për akuzën e dytë, ai thotë se “Sa i përket letrës, Kofi Ananit i jam drejtuar jo vetëm një herë, por edhe herave tjera për një pasqyrë të shkurtër se çka ndodhë me Doganant e UNMIK-ut. Në letrën e fundit, është pak me rëndësi se këtu kam përfshirë edhe punën e Mihael Shtajnerit, i cili ka qenë thuajse i involvuar pasi që nuk ka ndërmarrë asgjë për ndërprerjen e krimit të organizuar dhe ndërprerjen e kontrabandës me cigare dhe narkotikë në Kosovë”, ka sqaruar z. Shabani.

Tashmë punëtori i përjashtuar Bedri Shabani, planifikon ta padisë Shërbimin Doganor.

Bedri Shabani edhe më herët, saktësisht më 14 maj të vitit 2002, ka akuzuar vendorët dhe ndërkombëtarët, të implikuar në krim të organizuar, me ç’rast ishte suspenduar, por pas një kohe ishte kthyer në punë.

Ai, thotë se të gjitha këto i ka bërë për interes të gjithë popullatës dhe kërkon ndihmë nga institucione.

“Tash është koha që, me një fjalë edhe kryeministri i Kosovës të më jepë ndihmë se unë nuk jam duke bërë punë për vehte por për popullin shqiptar. Ne në Evropë nuk mund të shkojmë me krim të organizuar por duke e luftuar”, ka theksuar mest tjerash Shabani.

Bedri Shabani thotë se krerët e lartë të UNMIK-ut dhe një pjesë e vendorëve janë të implikuar në krim të organizuar dhe se buxheti i Kosovës është duke u dëmtuar me të madhe.

Në fund ai ka shtuar se, nëse dështon këtë herë dhe nuk gëzon përkrahje, atëherë edhe kolegët e tjerë nuk do të kenë kurajo në të ardhmen të flasin haptas.

ECIKS / BLUESKY