Holkeri mirëpret ndihmën e Paktit të Stabilitetit për standardet

Prishtinë, 06 shkurt 2004 – Shefi i UNMIK-ut, Harri Holkeri, ka mirëpritur gatishmërinë e Paktit të Stabilitetit për të ndihmuar Kosovën në arritjen e standardeve dhe avancimin e bashkëpunimit ekonomik me vendet e rajonit. Holkeri i bëri këto komente në Prishtinë pas një takimi që zhvilloi me koordinatorin e Paktit të Stabilitetit, Erhardt Busek.

“Përshëndes ofertën e Paktit të Stabilitetit për implementimin e standardeve dhe bashkëpunimin ekonomik rajonal nga i cili do të përfitojnë qytetarët e Kosovës”, tha Holkeri.

Kreu i Paktit, Erhardt Busek, tha se axhenda e kësaj iniciative të integrimit rajonal dhe evropian është e qartë se Kosova nuk do të jetë vrimë e zezë në rajon dhe derisa të zgjidhet statusi final ata do të ndihmojnë UNMIK-un dhe Kosovën. Ndihma e Paktit, sipas Busekut, do të orientohet në shtyrjen përpara të marrëveshjeve të tregtisë së lirë midis Kosovës dhe vendeve të rajonit.

“Një shembull tjetër i ndihmës është energjetika, për të cilën ka një bashkëpunim të mirë në rajon dhe është me rëndësi që të bëhen përparime në këtë aspekt”, tha Busek dhe shtoi se i ka bërë kërkesë kryeministrit Rexhepi që Kosova të dorëzojë sa më parë letrën e bardhë, e cila parasheh liberalizimin e tregut të energjetikës në rajon.

Në fushën e transportit Pakti i Stabilitetit është i interesuar që të ndihmojë Kosovën në marrjen e kredive të jashtme.

Pakti i Stabilitetit është një iniciativë e cila ka për qëllim që të lehtësojë rrugën e vendeve të Evropës Juglindore për anëtarësim në BE. Në këtë kuadër projektet e Paktit fokusohen posaçërisht në aspektin e bashkëpunimit rajonal, liberalizimin e tregtisë, qarkullimin e lirë të njerëzve dhe mallrave, harmonizimin e legjislacionit të vendeve të rajonit me atë të Bashkimit Evropian etj.

Kryeministri Rexhepi tha pas takimit me koordinatorin e Paktit se ata janë shumë të angazhuar në rajon për krijimit e raporteve edhe më të mira në aspektin politik, të infrastrukturës, demokratizimit. Gjatë takimit është biseduar për mundësinë e realizimit të marrëveshjeve për tregëti të lirë edhe me vendet tjera në rajon dhe mundësinë që Kosova të merr pjesë edhe në iniciativa të tjera sa i përket ndalimit të krimit të organizuar.

Aktivitetet e Paktit të Stabilitetit
Në kuadër të Paktit shtetet mund të përfitojnë nga 3 tryeza. Tryeza e parë ka të bëjë me të drejtat e njeriut dhe minoriteteve, qeverisje të mirëfilltë, të drejtat e grave, përkrahja e mediave, arsimi dhe rinia dhe çështjet e refugjatëve.

Tryeza e dytë e Paktit përfshin investimet në infrastrukturën rajonale, sektorin energjetik, zhvillimin e sektorit privat, tregtinë rajonale, këshillimin për biznes, çështjet e ambientit etj.

Tryeza e tretë dhe e fundit e Paktit përfshin kontrollin e armëve dhe çarmatimin, çminimin, përgatitjen për katastrofa, luftimin e korrupsionit, luftimin e krimit të organizuar, gjithashtu përfshim migrimin dhe azilin, reformat në drejtësi, zhvillimin e shërbimeve policore e kontrollimin e kufijve, si dhe luftimin e trafikimit të qenieve njerëzore.

ECIKS / BIZNESI