PTK-ja i kërcënon me gjyq operatorët ilegalë

PTK-ja ka vërtetuar se këta operatorë fuqinë e sinjalit e kanë shumë më të lartë sesa që është e lejuar me rregullativën evropiane për transmetim dhe ka kërkuar që të ndërpresin operimin, përndryshe do të nisin procedura ligjore, thuhet në letër

Arbana Xharra

Prishtinë, 24 maj 2006 – PTK-ja bashkë me Monaco Telekomin dhe kompaninë britanike me të cilën synon të futet në partneritet strategjik, Cable & Wireless, i kanë dërguar letër të gjithë operatorëve të telefonisë mobile, që operojnë ilegalisht në Kosovë që të ndërpresin transmetimet e tyre ose në të kundërtën do të nisin procedurat ligjore.

Burime të gazetës kanë bërë të ditur se kjo letër i ka shkuar edhe shefit të UNMIK-ut, Soren Jessen Petersen, Qeverisë së Kosovës dhe zyrtarëve të Autoritetit Rregullator të Telekomunikacionit.

Janë rreth gjashtë operatorë ilegalë operojnë në Kosovë dhe të cilët kanë marrë të mërkurën letër prej PTK-së: Mobteli i Serbisë, Mobimak dhe Kosomofon i Maqedonisë, Telekom -Serbia, Promonte nga Mali i Zi, dhe AMC nga Shqipëria.

Në këtë letër shkruan: “PTK-ja e ka verifikuar që ju po operoni ilegalisht në Kosovë, ku e licencuar për të operuar është vetëm PTK-ja dhe askush tjetër”.

“Kemi bërë matjet dhe dimë saktë sesi keni rritur fuqitë e antenave më tepër sesa duhet në mënyrë që të transmetoni në territorin e Kosovës”, ka treguar për përmbajtjen e letrës burimi i KD-së.

PTK-ja ka vërtetuar se këta operatorë që veprojnë ilegalisht, fuqinë e sinjalit e kanë shumë më të lartë sesa që është e lejuar me rregullativën evropiane për transmetim.

“PTK-ja ka kërkuar që të ndërpresin operimet e tyre ilegale përndryshe do të nisin procedura ligjore kundër tyre dhe do të kërkojë kompensim për të humburat që i janë shkaktuar PTK-së”, bën të ditur mes tjerash burimi. Ai tha se këta operatorë ilegal në Kosovë kanë rreth 300 mijë konsumatorë. “Secili operator ka së paku nga 30 mijë konsumatorë në Kosovë, që do të thotë se janë rreth 200-300 mijë konsumatorë të operatorëve ilegalë”, tha burimi.

Zyrtarët e Qeverisë thonë se janë të vetëdijshëm që në Kosovë janë duke operuar një numër i operatorëve ilegalë të telefonisë mobile. “Qeveria e Kosovës i ka dërguar kërkesë edhe PSSP-së që të gjithë operatorët të shkojnë nëpër procedurat ligjore”, ka thënë këshilltari i kryeministrit, Arben Qirezi.

Shefi i Autoritetit Rregullator të Telekomunikacionit ka konfirmuar se ka marrë letrën që PTK-ja u ka dërguar operatorëve ilegalë dhe këtë veprim të PTK-së e ka cilësuar si “veprim absolutisht të drejtë dhe shumë të natyrshëm”.

“Në bazë të legjislacionit në fuqi është dashur të reagohet ndaj tyre dhe PTK-ja ka plotësisht të drejtë”, tha Berisha.

Sipas tij për këtë ekziston legjislacioni, mirëpo në Kosovë interpretues i fundit të ligjit është PSSP-ja.

“Edhe pse disa herë kemi kërkuar pozicionim të qartë për çështjen e operatorëve ilegalë nga ana e PSSP-së kjo nuk ka ndodhur”, tha Berisha. Ai shtoi se ART-ja e ka kryer punën e vet, “fundja ne jemi trup profesional e ligjor”. Mirëpo, ai pohon se kur ka ardhur puna te ekzekutimi, sidomos në enklava serbe, UNMIK-u është tërhequr për shkak të rrethanave politike.

“Por, sidoqoftë, PTK-ja ka shumë të drejtë të reagojë. Operatorët ndërkombëtarë nuk po i respektojnë normat ndërkombëtare të fuqive transmetuese dhe është gjëja më normale që operatori legal ta procedojë këtë çështje në instanca ndërkombëtare”, tha në fund Anton Berisha.

Marrë nga Koha Ditore