Promovohet strategjia kundër korrupsionit në Kosovë

Prishtinë, 26 maj 2004 – Korrupsioni, është i pranishëm në Kosovë si në shumicën e vendeve të rajonit, prandaj të gjithë duhet t’i bashkojnë forcat për të luftuar këtë sëmundje të rëndë jo vetëm të vendeve ballkanike por edhe më gjërë. Kështu thanë në Prishtinë, përfaqësues të lartë vendorë dhe ndërkombëtarë në konferencën me temë “Kosova lufton korrupsionin”, organizuar nga Zyra e qeverisë për qeverisje të mirë.

Qeveria ka hartuar strategjinë gjithpërfshirëse kundër korrupsionit, dhe do të bëjë tërë atë që është e nevojshme për zbatimin e saj, tha kryeministri Bajram Rexhepi. Në shoqëritë si Kosova, me mekanizma institucionalë të ri dhe të brishtë, kërcënimi nga korrupsioni padyshim është serioz. Prandaj angazhimi institucional duhet të jetë më i vendosur për të luftuar këtë dukuri, tha kryeministri Bajram Rexhepi. “Në Kosovë ka ardhur koha që një strategji gjithpërfshirëse për luftimin e korrupsionit dhe për vënien në suaza ligjore të mekanizmave antikorrupsion është tepër e rëndësishme, përcaktimi për luftimin e korrupsionit sa më herët të vëhet në korniza ligjore.

ECIKS / Balkanweb