Projekti “AMBO” përfundon brenda 2004

Tiranë, 20 janar 2004 – Projekti i naftësjellësit transballkanik AMBO pritet që të përfundojë plotësisht në 2004. Kështu pohojnë për gazetën “Shekulli” specialistë pranë Ministrisë së Industrisë dhe Energjitikës.

“Viti 2004 do të jetë për projektin e detajuar mjedisor, si dhe për të parë ndotjen e mjedisit në të gjitha zonat ku kalon tubacioni, si dhe për hartimin e detajuar të projektit inxhinierik,”- pohojnë specialistët. Ndërkohë që gjatë këtij viti AMBO duhet që të sigurojë plotësisht paketën financiare, me qëllim fillimin sa më shpejt të ndërtimit të këtij naftësjellësi. “Kompania “Exfom Mobil” i ka premtuar AMBO-s një pjesë të huasë, si dhe një pjesë të naftës që ajo prodhon në detin Kaspik për ta transportuar përmes këtij tubacioni,” -pohojnë specialistët. Qeveria shqiptare ka miratuar gjurmën se ku do të kalojë naftësjellësi AMBO në vendin tonë dhe gjatë 6-mujorit të parë të këtij viti ky projekt të miratohet edhe në Këshillat e Rregullimit të Territoreve të qarqeve apo rretheve ku kalon ky naftësjellës. Kompania AMBO është duke negociuar me disa banka për sigurimin e një huaja prej 700-750 milion dollarë, ndërkohë që rreth 350 milion dollarë ajo do ti investojë vetë, së bashku me vendet që kërkojnë që të transportojnë naftë nga ky tubacion.

Përfitimet e naftësjellësit

“Prurja e projektuar prej 120 mijë metra kub ose 750 mijë fuçi naftë në ditë parashikohet t’i sjellë Shqipërisë rreth 50 milionë dollarë të ardhura në vit,”- pohojnë specialistë të Ministrisë së Industrisë dhe Energjitikës. Sipas tyre, destinacioni i naftësjellësit që do të transportojë rreth 40 milionë tonw naftë në vit është të transferojë këtë sasi nafte nga Terminali tokësor i Burgasit në Terminalin e Vlorës, i cili do të jetë porti kryesor i ngarkimit të tankerave me destinacion tregun botëror. Por, jo vetëm kaq, sepse vendi ynë do të përfitojë edhe më shumë. Së pari, nafta e papërpunuar që do të vijë nga vendet e Kaspikut, do të mbërrijë në vend me një kosto shumë më të ulët, gjë që do të ndikojë ndjeshëm në ekonominë shqiptare. Së dyti, Shqipëria do të shpërblehet me koston përkatëse që i takon nga lejimi i kalimit të naftësjellësit në territorin e saj, si dhe do të rritet mundësia për më shumë vende pune, sidomos në portin e Vlorës. Por këto avantazhe nuk janë asgjë në krahasim me impaktin që do të ketë realizimi i këtij projekti të ideuar dhe të mbështetur nga amerikanët.

Se sa e rëndësishme është për Shtetet e Bashkuara të Amerikës kjo nismë që i lejon jo vetëm ulje të konsiderueshme të deficitit buxhetor, por edhe kontroll të tregut botëror të naftës së papërpunuar, e tregon interesi që po tregojnë. Por, burime pranë Ministrisë së Industrisë dhe Energjitikës pohojnë se rëndësia e ndërtimit të naftësjellësit Burgas-Vlorë qëndron përveç përfitimit ekonomik, edhe sepse ai është në funksion të ndërtimit të TEC-it të ri në Vlorë. Sepse depozitat e naftës dhe gazit do të vendosen pikërisht tek porti i Vlorës, ku mjaft afër gjendet edhe sheshi për kompaninë AMBO.

Gjurma e naftësjellësit

Naftësjellësi do të hyjë në vendin tonë në Qafë -Thanë, më pas do të drejtohet drejt Përrenjasit dhe do të shtrihet përgjatë rrugës automobilistike deri në Librazhd, tubacionet më pas do të instalohen në krah të lumit Shkumbin deri në Elbasan, më tej në Cërrik, Fiershegan të Lushnjes, do të kthehen në drejtim të ish -Azotikut të Fierit dhe më pas do të përfundojnë në Portin e Vlorës. Kjo do të jetë rruga që do të ndjekë naftësjellësi Burgas-Vlorë në vendin tonë, sqarojnë specialistët e Ministrisë së Industrisë dhe Energjitikës. “Rruga e zgjedhur nga ekspertët e çdo vendi dhe nga inxhinierët e kompanisë AMBO dhe “Broën & Route” ka shmangur qendrat e banuara si dhe ka pasur parasysh që tubacioni të kalojë sa më afër rafinerive” pohojnë specialistët. Ata sqarojnë se studimi ka bërë edhe një vlerësim të plotë të problemeve të mjedisit. Sipas tyre, tubacioni përshkon territorin e Shqipërisë në një gjatësi prej 160 kilometra dhe futet 1metra deri në 1.5 metra nën tokë, ku kalimet e rrugëve dhe lumenjve do të jenë nëntokësore.

Korridoret

Brenda gjysmës së dytë të vitit 2006, nëse gjithçka do të shkojë mirë, do të përfundojë naftësjellësi AMBO. Naftësjellësi AMBO do të kalojë nga Bullgaria, në Maqedoni dhe më pas do të përfundojë në Shqipëri, duke u bërë pjesë e infrastrukturës së Korridorit të Tetë Europian, lindje-perëndim, ku janë të përfshira autostrada, hekurudha, naftësjellës dhe telekomunikacionet.

Ja si do të sigurohet nafta e AMBO-s

Nafta që do të përshkojë tubacionet e kompanisë AMBO do të sigurohet nga Rusia, Azerbajxhani, Kazakistani, Turkmenistani, duke patur si destinacion përfundimtar tregjet e Europës dhe veçanërisht të Amerikës Veriore. Naftësjellësi transballkanik ka një gjatësi prej 913 kilometra dhe një kapacitet transportues prej 750 mijë fuqi në ditë. Ai niset nga Buragsi, breg ky në Detin e Zi të Bullgarisë dhe do të përfundojë në portin e Vlorës në Shqipëri. Që ky projekt të realizohet ka nevojë për 1.2 miliardë dollarë, fond të cilin AMBO është në rrugë e sipër për ta siguruar. Kompania AMBO ka rënë pothuajse dakord me institucionet financiare për të siguruar rreth 900 milionë dollarë, sepse pjesën tjetër është në gjendje ta sigurojë me fondet e kompanisë.

Naftësjellësi AMBO do të kalojë nga Bullgaria, në Maqedoni dhe më pas do të përfundojë në Shqipëri, duke u bërë pjesë e infrastrukturës së Korridorit të Tetë Europian, lindje-perëndim, ku janë të përfshira autostrada, hekurudha, naftësjellës dhe telekomunikacionet.

ECIKS / Shekulli