Produkti vendas në vështirësi

PRISHTINË, 04 NËNTOR 2003 – Në Kosovë prodhimet vendore ende nuk kanë gjetur një vend të duhur në tregun vendas, përderisa prodhimet e huaja kanë një përparësi tek konsumatorët.

“Aleanca Kosovare e Biznesit” për një javë rresht ka bërë përpjekje që siç thuhet të senzibilizojë konsumatorin kosovar, por edhe institucionet vendore që të blejnë mallra me firmën “Made in Kosova”.

Agim Shahini, kryetar i këtij asociacioni, ka thënë se java e biznesit kosovare ka pasur efekte pozitive jo vetëm në bindjen e konsumatorit për blerjen e mallrave vendase, por edhe të prodhuesve vendorë për ngritjen e cilësisë së prodhimeve të tyre.

“Ishte një kënaqësi që gjatë kësaj jave edhe ne, edhe konsumatoret së bashku me prodhuesit vendas kishin kontaktet e tyre në interesat e blerjes së mallrave të prodhimit vendas dhe në këtë drejtim kemi lajme të mira deri në këto momente”, është shprehur zoti Shahini.

Nga ana e tyre konsumatorët kanë theksuar se cilësia dhe çmimet janë ata që përcaktojnë orientimin e tyre me rastin e blerjes së mallrave të ndryshme, ndërkohë që kishte edhe të tillë që përkrahnin idenë për dhënien përparësi prodhimeve vendase.

“Përparësi i duhet dhënë prodhimeve vendase,edhe pse ndoshta cilësia nuk është më e mira. Shpresojmë se në të ardhmen kjo do të rregullohet”, thotë një blerës.

”Unë blej prodhime të huaja sepse ato kanë një cilësi më të mirë, por blej edhe prodhime vendase kur janë të mira”.

”Kam blerë qumësht nga Sllovenia edhe pse ka qumësht që prodhohet në Kosovë” shprehen disa qytetarë.

Prodhuesit vendas gjatë kësaj jave të biznesit nga ana e tyre kanë theksuar se cilësia e prodhimeve të tyre nuk vihet në pyetje përballë prodhimeve të dyshimta që hynë në Kosovë.

Shefqet Kuqi, pronar i një fabrike që merret me prodhimin e këpucëve nga Theranda, ka vlerësuar qëllimin e organizimit të kësaj jave, por ka vënë në dyshim efektet e një euforie mometale siç u shpreh ai në qoftë se me ligj nuk mbrohen prodhimet vendase.

“Nëse inspeksionet e tregut nuk e kontrollojnë mallin që hyn dhe nëse me rregullativë ligjore nuk përmirësohet politika fiskale, edhe java e biznesit, edhe ne si prodhues vendas nuk do kishim sukses”, thotë zoti Kuqi.

Sipas tij politika fiskale dhe ajo doganore janë të disfavorshme për prodhuesit vendas në Kosovë.

“Politika fiskale sot e ka këtë të metë që ne na detyron që fillimisht të paguajmë tatimin dhe doganën që në start kur marrim lëndën e parë dhe vetëm pas shitjes së prodhimeve, të mbledhim këto tatime.

Nga ana tjetër edhe doganat janë të pakuptimta kur e njëjta tarifë aplikohet si për lëndën e parë, si për prodhime të gatshme ”, pohon zoti Kuqi.

Qëllimin e Javës Kosovare të Biznesit e kanë përkrahur edhe dy udhëheqësit e institucioneve të Kosovës, Bajram Rexhepi, kryeministër dhe Nexhat Daci, kryetar i parlamentit të Kosovës.

Ata kanë nënshkruar një memorandum sipas të cilit këto dy institucione do të blejnë prodhime vendore për nevojat e institucioneve të tyre dhe kanë premtuar mbështetjen e këtyre prodhimeve brenda kompetencave që kanë.

Vlerësohet se aktualisht në Kosovë mbi 70 për qind e nevojave të konsumit të gjerë plotësohen nga importi dhe vetëm 30 për qind nga prodhimet vendore.

ECIKS / BBC