Prodhuesit e rinj të lirohen nga barra fiskale për 3-5 vjet

Prishtinë, 28 qershor 2004 – Krijimi i politikave ekonomike dhe fiskale me qëllim të rritjes dhe stimulimit të prodhimit vendor janë hapat e parë që duhet të ndërmerren për krijimin e një ambienti të qëndrueshëm ekonomik. Kjo ka qenë një nga pikat kryesore gjatë një tryeze me temën “Ndryshimet e tarifave doganore dhe efekti i tyre në ekonomi”, të organizuar nga Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) në bashkëpunim me Ministrinë për Ekonomi dhe Financa (MEF) dhe institucionet tjera që merren me tendencat e zhvillimit ekonomik në Kosovë.

Agim Shahini, kryetar i AKB-së, tha se me angazhimin e kapitalit të bizneseve të Kosovës në fushën e prodhimit do të realizohet objektivi i ekonomisë kosovare për t’u larguar nga një vend konsumues që është tani në një vend prodhues. “Ne kërkojmë trajtim të barabartë të importeve në të gjitha pikat doganore, si dhe heqjen e barrës fiskale për prodhuesit e rinj për një periudhë 3 deri në 5-vjeçare, në mënyrë që të stimulohen prodhuesit vendorë”, – tha Shahini. Sipas AKB-së deri më tani ndryshimi i doganave nga 10 në 0 për qind është hapi i parë dhe më pozitiv që ka ndërmarrë deri më tani MEF-i dhe qeveria. Ali Sadriu, ministër i MEF-it, tha se bizneset nuk duhet të jenë të kënaqura vetëm me ndryshimet e deritanishme të taksave doganore, sepse Kosova po vazhdon të jetë një treg i konsumit, derisa procesi i zhvillimit të prodhimit vendor është bazamenti kryesor i të gjitha politikave. “Prandaj duhet që me të gjitha mjetet të ndikojmë në krijimin e një vendi prodhues”, – tha Sadriu. Sipas ministrit, agrobiznesi është fusha me e rëndësishme për zhvillimin e vendit, prandaj të krijohen masa të veçanta stimulimeve, si të politikave monetare, kreditore dhe formave tjera.

“Kosova mund të sigurojë prodhime të vetat, por duhet të kemi politikë gjithpërfshirëse, sepse vetëm politika doganore nuk është i vetmi instrument që ndryshon rrjedhat e përgjithshme të kësaj sfide me të cilën po ballafaqohemi”, – tha ministri. Në anën tjetër, Isa Mustafa, nënkryetar i institutit “Riinvest”, tha se janë dy probleme esenciale të politikave zhvillimore, si ai i trajtimit afatshkurtër të politikave fiskale, të cilat kryesisht kanë qenë të orientuara vetëm në mbushjen e arkës buxhetore dhe mungesa e masave për nxitjen e zhvillimit ekonomik. “Politikat fiskale do të krijojnë humbje të përkohshme për buxhetin e Kosovës, por nëse arrijmë të stimulojmë biznesin, e në veçanti agrobiznesin, atëherë ne do ta forcojmë qëndrueshmërinë buxhetore për një afat më të gjatë”, – tha Mustafa.

ECIKS / Biznesi