Komiteti i Urbanizmit të Kosovës miratoi vendimin që pagesa për taksat komunale të rriten me 8 euro për metër katror në 100 euro për metër katror për apartamentet, dhe 150 euro për lokale afariste dhe objekte më të larta se tre kate. Kjo pritet të sjellë rritjen e çmimit të apartamenteve me 20 për qind
Prishtinë, 30 shtator 2005 – Një vendim i Komitetit të Urbanizmit të Prishtinës, që pritet të miratohet në Kuvendin Komunal të Prishtinës, mund ta rrisë çmimin e banesave me, të paktën, 20 për qind. Bëhet fjalë për rritjen e pagesës për taksën komunale që duhet të paguajnë ndërtuesit e objekteve për të ndërtuar dhe legalizuar objektin e tyre, të cilin Komiteti për Urbanizëm ka vendosur ta rrisë nga 3,5 euro për metër kub, që është aktualisht, në 32,5 euro për metër kub. Shprehur me metër katror, taksa komunale që duhet të paguajë një ndërtues do të rritet me 8 euro për metër katror në 100 euro, apo edhe më lartë për ndërtimet shumëkatëshe.
Për apartamente banimi taksa do të jetë 100 euro për metër katror, ndërsa për ato afariste 150 euro. Gjithashtu, 150 euro do të paguhet edhe për objekte më të larta se tre kate. “Këto çmime janë miratuar në Komitetin e Urbanizimit dhe pritet që sot ato të dalin edhe në Komitetin e Politikave. Kjo rritje e madhe e çmimeve do të ndikojë drejtpërdrejt në çmimet e banesave,” tha Nebih Zariqi, anëtar i Komitetit të Politikave, njëkohësisht edhe ndërtues. Ky vendim është absurd edhe për pronarin e kompanisë ndërtuese Dardania, Dardan Novosella. Sipas tij, kjo bie ndesh me premtimet e komunës së Prishtinës, e cila u ka premtuar qytetarëve dhënien e lejeve së ndërtimit, si dhe uljen e çmimeve. “Nëse ngrihen çmimet e banesave, do të ndodhë për shkak të rritjes së taksës komunale, që pritet të pësojë një rritje prej më shumë se 20 për qind. Mund të them që edhe aktualisht çmimi i apartamenteve është i shtrenjtë, dhe kjo ndodh për një sërë shkaqesh, si mungesa e lejeve, toka e shtrenjtë etj.,” tha Novosella, duke shtuar se në këtë rast, veç biznesit të ndërtimit, të parët që do të dëmtohen janë konsumatorët.
Kundërshtime për rritjen e shumëfishtë të këtyre çmimeve kanë ardhur edhe nga vetë anëtarët e Komitetit të Urbanizmit, por me shumicë votash ajo është miratuar. Haki Sheholli, anëtar i komitetit të Urbanizimit, pohoi se vendimi për rritjen e taksës komunale nuk është përpunuar fare, dhe nuk ka ndonjë studim të mirëfilltë, por vetëm sa janë paraqitur shifrat. “Çmimet aktualisht janë të larta dhe sillen nga 1 mijë deri në 1 500 euro për metër katror. Rritja e pagesës për taksën komunale me 8 euro do t’i rrisë edhe më shumë këto çmime,” pohoi ai.
Ndryshe nga këto kundërshtime, Lulzim Nixha, shef i Urbanizmit në Prishtinë, i cili më parë i kishte propozuar çmimet që janë aktualisht në fuqi, ka deklaruar se çmimi i banesave nuk mund të rritet me 20 për qind, por me vetëm 10 deri në 12 për qind. “Nuk është e vërtetë se do të rriten me 20 për qind,” tha Nixha. Sipas tij, ndërtimet duhet të kenë një farë sigurie, ndërkohë që duhet të investohet edhe në ambientet përreth tyre. “Ne kemi bërë një studim për rritjen e këtyre çmimeve, megjithëse ende nuk është zyrtarizuar. Në pagesën e taksës komunale me çmimet e reja pritet të përfshihen edhe ndërtimet pa leje, që janë kryer deri më tani. Sipas Nixhës, këta të fundit do të paguajnë dyfish me tepër. Çmimet e banesave në Prishtinë vlerësohen si shumë të larta për standardin e popullsisë, të cilat sillen nga 700 deri në 1.500 euro për metër katror.
ECIKS / Biznesi