Prishtina pa rrymë

Prishtinë, 13 shkurt 2007 – Si pasojë e disa defekteve të KEK-ut, një pjesë e qytetarëve të Prishtinës është ballafaquar të martën me reduktime të ashpra të energjisë elektrike. Zëdhënësja e KEK-ut, Donika Kadaj- Bujupi, pohoi së në qytetin e Prishtinës në disa pjesë nuk ka pasur rrymë, por bëhet fjalë për prishje e jo për reduktime në mungesë të energjisë. Ajo tha se nuk ka informacione se për çfarë prishje bëhet fjalë. “Më kanë njoftuar se ka prishje, por më shumë nuk kam informacione”, theksoi ajo.

Zëdhënësja Bujupi thotë se të gjithë qytetarët e Kosovës janë duke u furnizuar rregullisht me energji elektrike. “Vetëm në raste të ngarkesave, në orët e mbrëmjes, do të zbatohet plani ABC i furnizimit me energji elektrike”, tha Bujupi. Sipas zëdhënëses, gjatë ditës së martë janë në dispozicion 793 orë megavat energji elektrike, prej tyre 147 sigurohen nga importi.

Ndërkaq, 16 megavat vijnë nga Hidrocentrali i Ujmanit. Në bazë të raportit të KEK-ut, qytetarët që gjenden në kategorinë A, do të kenë furnizim pandërprerë të energjisë elektrike, ata të kategorisë B, 5 do të jenë me rrymë dhe një pa të. Ndërkaq, qytetarët që gjenden në kategorinë C, katër orë do të jenë në dritë dhe dy në terr.

ECIKS / Gazeta Lajm