Prezentohet plani për zhvillimin ekonomik të Mitrovicës

Mitrovicë, 24 shkurt 2004 – UNMIK-u nuk i përjashton donacionet nga Beogradi për zhvillimin ekonomik të Mitrovicës edhe për periudhën e ardhshme, përkundër faktit se qeveria e Serbisë deri më tash ka financuar kryesisht strukurat paralele serbe. Ky planifikim është bërë nga zyrtarët e UNMIK-ut dhe të pushtetit lokal në kuadër të planit për zhvillimin ekonomik të Mitrovicës.

Administratorja komunale e UNMIK-ut në Mitrovicë, Mina Jervenpa gjatë prezentimit të planit, tha se ka nevojë që situata politike të jetë stabile dhe të gjinden donatorë që do të binden për të investuar në ekonominë e Mitrovicës. Zonja Jervanpa nuk përjashtoi mundësinë që Beogradi përmes donacioneve të ndihmojë në planin për zhvillimin ekonomik të Mitrovicës. Sipas saj gjendja mometale politike në qytet, nuk paraqet pengesë për zhvillimin ekonomik, meqë sic tha ajo banorët e të dyja pjesëve të Mitrovicës përkrahin dhe janë të vetëdijshëm për nevojën e zhvillimit ekonomik të qytetit. Plani i përpiluar nga ekspertë të Kuvendit Komunal si dhe nga ata të administratës ndërkombëtare në pjesën veriore, ofron disa synime zhvillimore si përkrahjen e bizneseve dhe zhvillimin e sektorit privat, krijimin e njohurive dhe edukimin për ndryshimin ekonomik, zhvillimin e zonave rurale, përmirësimin e menaxhmentit urban etj. Ky plan do të marr formën përfundimtare në fund të muajit mars dhe në të nuk do të përfshihet kombinati Trepça të cilin shefi i shtyllës së katërt të UNMIK-ut Nikolla Llamsdorf e shef si kontribues për zhvillimin ekonomik të Mitrovicës. Kryesuesi i shtyllës së katërt të UNMIK-ut premtoi se pjesët e Trepçës do të bëhen kompani moderne në të ardhmen por ai theksoi nevojën e investimeve të vazhdueshme në këtë kombinat.

ECIKS / RTK